“Çfarë më tha ekipi i Trump për non gratën e Berishës”/ Pollo: S’kandidoj për deputet, e ndava mendjen katër vjet më parë

Genc Pollo ka dhënë një intervistë per “SyriTV”, pasi në dhjetor kishte paralajmëruar heqjen e Non grata-s së Sali Berishës.

Mbas intervistës së dhjetorit bisedojmë sërish bashkë. Si e shihni fushatën që po fillon?

GP: Me optimizëm të shtuar; java që lamë pas i dha një hov të ri PD-së dhe opozitës. Më kujton 2005 me BGR, konsulencën amerikane që luajti rol shumë pozitiv në fushatën asokohe. Gjithashtu kemi edhe një kontekst të brendshëm e ndërkombëtar më të favorshëm.

Le të flasim fillimisht për ndërkombëtarin. Ju thatë në dhjetor se Berishës mund t’i hiqej non grata. A ka sinjale konkrete se kjo mund të ndodhë?

GP: Në dhjetor ju citova personalitete afër ekipit Trump që më thanë në konferencë se rishikimi i “përcaktimeve mos-hyrje në ShBA” ishte shumë i mundshëm. Por kjo bisedë ndodhi në nëntor dy javë mbas fitores së Trumpit. Në shkurt përcaktimi anti Berisha për amerikanët duket se është rrëzuar moralisht e praktikisht. Pse e them këtë? Para tre vjetësh në Tiranë Richard Grenell, i afërt me Trumpin ish president por asokohe qytetar privat amerikan tha se nuk kishte parë prova që justifikonin “përcaktimin” anti Berisha të Sekretarit të Shtetit Blinken sa ishte drejtor i agjencisë së zbulimit por edhe se evitoi takimin me  Berishën në përputhje me rregullat shtetërore amerikane. Në shkurt 2025, Chris LaCivita, gjithashtu i afërt me Trumpin president dhe qytetar privat amerikan. Jo vetëm takoi Berishën, por firmosi kontratë me të dhe denoncoi “përcaktimin” e Blinkenit si veprim të turpshëm të segmenteve të kapura e të korruptuara në administratën Biden. Ju e shihni kontrastin në sjelljen e këtyre të dyve. Shkresa e Blinkenit de facto nuk konsiderohet më. Ndryshimin e bëri fitorja e Trumpit, që po sjell një erë lirie dhe drejtësie.

Berisha thotë se JD Vance në Mynih i referohej atij kur foli për burgosjen e liderit të opozitës.

GP: Fjalimi i zv.presidentit JD Vance është një manifest i veçantë për demokracinë në Europë dhe liritë njerëzore. Meriton një shënim më vete. Ai bazohej në informacion të detajuar mbi ngjarjet e trendet në kontinentin tonë. P.sh. për Rumaninë e cila e shikuar nga Amerika është po aq sa Shqipëria. Në Evropë ka patur e ka disa procese gjyqësore të çuditshme kundër politikanëve të djathtë e opozitarë. Por i vetmi lider opozite që u burgos, me sa di unë është Berisha. Prandaj mund të thuhet me vërtetësi se JD Vance ju referua rastit Berisha tek qortonte erozionin e demokracisë. Ishte indirekt edhe një kritikë për ata liderë e politikanë evropianë që heshtin para këtij erozioni të demokracisë.

Folët për optimizëm të shtuar. Por sondazhet nuk flasin në favor të PD?

GP: Varet se cilin sondazh merrni. Vjet, në 8 qershor, në revistën Monitor, u publikua një sondazh ku rezultonte se shqetësimi më i madh ishte keqqeverisja, shtetkapja e korrupsioni i lartë dhe zgjidhjen shumica e të pyeturve e shikonte tek rotacioni politike dhe pakica tek ndryshimet në qeverinë aktuale. Por të tilla sondazhe, që nuk porositen nga forcat pro status-quo nuk divulgohen në shumë media. Dalim prapë tek inceneratorët.

Në intervistën e dhjetorit ju folët për dekapitimin e opozitës përmes gjyqësorit. Si mundet fitorja në këto kushte?

GP: Shihni përqark në botë sa shumë raste ka kur establishmenti burokratik-mediatik tenton të imponohet kundër vullnetit demokratik. Trump në ShBA është rasti par excellence. Por kështu ndodhi pak a shumë nga  Pakistani, në Bangladesh e deri në Argjentinë. Është vështirë të mposhtësh një koalicion që bashkon aktivizmin për ndryshim me shumicën e heshtur.

Lajme të tjera |  “Ti, komunistuc i vogël, qorra apo çfarë jeni ju”, Strazimiri përplaset me deputetin e Lëvizjes Bashkë për protestën, Muçi: Dilni dhe jepuni llogari

Një pyetje personale? Meqë zgjedhjet parlamentare mbahen mbas tre muajsh a po pregatiteni të kandidoni për deputet?

GP: Jo, nuk kam ndërmend të kandidoj.

Vërtet? Pse kështu?

GP: Po vërtet; kështu e kam ndarë mendjen që para katër vjetësh dhe ja kam thënë kujtdo që më ka pyetur. Jam zgjedhur në Kuvend për herë të parë në vitin e largët 1996; që atëhere deri në v2021 deputet bëhen 25 vjet. Nuk është e thënë të vazhdoj me të njëjtën gjë. Njeriu mund të bëj edhe gjëra të tjera interesante në jetë.

Si përshembull?

GP: Projekte të ndryshme, më shumë lexime e shkrime; aktivitete me Paneuropën Shqipëri, një shoqatë që e kryesoj prej vitesh.

Po me PD?

GP: Jam anëtar aktiv i seksionit të lagjes me znj. Rina kryetare; jam edhe në forume qëndrore por që nuk mblidhen dhe aq shpesh. Pastaj herë pas here dal në TV ku jap mendimet e mia për çështjet publike e që jo rrallë përputhen grosso modo me PD.

Kthehemi tek politika. Ishit tek mitingu i opozitës në bulevard?

GP: Po, po isha. Edhe tek protesta e të premtes para bashkisë kam shkuar rregullisht.

Në dhjetor folëm për gjyqësorin e reformuar e punët e tija; që atëhere ka patur bastisje e aktakuza.

GP: Ka me bollëk sensacionalizëm rreth aferave që po hetohen dhe padurim për të dëgjuar arrestime. Por kam përshtypjen se spakizimi i debatit publik, edhe pse në këtë fazë i paevitueshëm, nuk është gjithmonë i shëndetshëm. Problemi është tek mekanizmat politikë që nuk funksionojnë më për të realizuar llogaridhënien. Sfida është për t’i rikthyer ato në funksionalitet.

A mundet një shembull?

GP: Kryeministri dhe shefi i Partisë Socialiste ka miratuar me firmën e tij para katër vitesh një listë kandidatësh për deputetë në Qarkun Durrës (që e kryesonte vetë) ku narkobandat, siç dëften hetimi penal, kishin dorë të lirë në renditjen e listës.

Po kështu nga hetimi penal del se kryeministri, njëkohësisht kryetar i KKT ku janë centralizuar lejet e ndërtimit, ka emëruar para dy vitesh motrën e shefit të një narkobande të Elbasanit.

Këto janë akte të rënda por të tilla kemi parë jo pak në të shkuarën. Por kësaj radhe kemi Edi Ramën që hesht. Nuk mund të thotë se shokët i kanë ngrënë fruta mbas shpinës sepse ka firmosur vetë. Por po të donte mund të thoshte se gaboi duke i besuar rekomandimeve të shokëve të pandershëm. Ose i firmosi fët e fët pa i lexuar shkresat. Ose ndonjë shpjegim tjetër. Dhe publiku mund t’i besonte apo jo. Por skandali më i madh dhe disi pa precedent është heshtja e kryeministrit.

Kush mund ta thyejë këtë heshtje?

GP: Në fund të vitit gazetari i Zërit të Amerikës e pyeti specifikisht për rolin e tij lidhur me listën e Durrësit por Rama i dha një përgjigje shvejkiane se kjo çështje i përket prokurorisë. Rama dhe po të merrej i pandehur, edhe po të kyçej në paraburgim do të kishte të drejtën procedurale të mos jepte pëgjigje po të donte. Por të vazhdojë në ofiqin që ka dhe njëkohësisht të heshtë kur është implikuar personalisht është e papranueshme. Është shumë më keq se veprat korruptive apo qeradhënia e deputetëve tek narkobandat. Problemi është se nuk ka presion të mjaftueshëm për t’a detyruar që të shpjegohet. Prandaj them se mekanizmat politikë nuk funksionojnë siç duhet e lipset të rikthehen në funksionalitet.

Lajme të tjera |  Rama tjetër mesazh kundër protestës nga hoteli luksoz Porto Montenegro: Njëherë na iku topi për shalësh, tani s’bëhet llaf më!

Kush mund të bëjë presion?

GP: Opozita! Kush tjetër? Pastaj media e pakapur. E treta në radhë që përmënd zakonish në këtë rast është shoqëria civile, dmth OJQ-të. Por me cfarë po shohim me USAIDin le t’i lemë njëherë mënjanë.

Edhe diçka tjetër: opozita nuk mund të pranojë mbledhje të Komisionit të Ligjeve nën kryesimin e Klotilda Bushkës. Me ato që kemi lexuar duhej të kishte dhënë dorëheqjen ose duhej të ishte shkarkuar nga partia e vet. Por deri mbylljen e Kuvendit para fushatës opozita nuk mund t’a tolerojë aty. Është fyerje për shqiptarët e Kushtetutën.

Të kalojmë në një temë tjetër: ju pashë tek ceremonia e varrimit të Janullatosit në katedrale. Si do e përshkruanit figurën e tij?

GP: Kryepeshkopi Anastas kryesoi kishën tonë në një epoke ringjalljeje që zgjati mbi tre dekada dhe u permbyll me të. Në shkretimin post komunist ai, si shumë pak të tjerë, mund të bashkonte personalitetin me reputacion botëror, përkushtimin apostolik e baritor si dhe butësinë e durimin e karakterit. Dhe ngriti një kishë nga gërmadhat duke e bërë faktor shpirtëror e social për të krishterët e më gjerë. Me urtesinë e tij ai davariti edhe paragjykime pa bazë qe nuk mungojnë aty ketu. Kryepshkopi Anastas fitoi besimin e respektin e shqiptareve fetarë dhe jofetare. Unë e kujtoj perherë si njeri gojëmbël e të mençur. Kujtoj që ai personalisht pagëzoi femijet e mi. Dhe për shumë besimtarë Kryepeshkopi Anastas mori trajtat e një shenjtori.

Në ceremoni foli vetëm Rama i cili e lartësoi figurën e të ndjerit.

GP: Rama mbajti një fjalim tepër të gjatë për rrethanën por me fjalë të hijshme e të përzgjedhura me kujdes për Kryepeshkopin. Është e para herë që e kam dëgjuar të flasë mirë për të. Kur përmendi se kishte bashkëpunuar më të për ngritjen e Katedrales Ngjallja sikur ju largua të vërtetës.

Pse e thoni këtë?

GP: Lejet dhe lehtësimet shtetërore për Katedralen janë bërë të mundura nga KM Berisha. Rama si kryebashkiak i Tiranës ka qenë pengues; ma kanë thënë edhe në kishë. Nuk di si t’a shpjegoj. Edhe kur u bë kryeministër vitin e parë dërgoi njerëz për të prishur parmakun para katedrales. Por duke deklaruar të kundërtën në fjalimin mortor mund të tentojë të shprehë pendesë; në mënyrën e tij. Nuk do të doja të mendoja për hipokrizi e gënjeshtër konveniente.

Pra Janullatos vetëm Berishën pati mik.

GP: Në dy dekadat e fundit përveç Katedrales lipset të shënohet edhe qytetaria shqiptare e akorduar nga Presidenti Meta si personalitet i shquar. Meta e pati ndërgjegjen e kurajon për këtë; ndryshe nga paraardhësit.

Pati një njoftim nga PD se Berisha ishte ulur sipas protokollit dhe të tjerat janë shpifje. A dini gjë ju?

GP: Unë vajta në katedrale dy orë përpara ceremonisë për të qenë I pranishëm në meshën mortore. Prifti që më shoqëroi më tha se lideri i opozitës Berisha do të ulej pranë kryeministrit shqiptar e grek. Prandaj kur pashë njoftimin nuk e kuptova pse nevojitej. Pastaj lexova se një portal i afërt me Lulzim Bashën kishte shkruar se Berisha u ul në rresht të parë në shkelje të protokollit. Baltosja politike në këtë rast është zemërligësi e shpirtvogëlsi pa të dytë.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us