– E ardhmja e drejtimit të Bashkisë së Tiranës mbetet pezull dhe tashmë është në dorën e Gjykatës Kushtetuese. Do jetë kjo e fundit, ajo që do të vendosë nëse Tirana do të drejtohet nga një kryebashkiak, Erion Veliaj, që do të udhëheqë nga burgu, apo do të lejojë që drejtimi i kryeqytetit të caktohet nga gara mes 3 kandidatëve: Ogerta Manastirliut, Florian Binajtdhe Arlind Qorit.
Një seancë maratonë, që zgjati për rreth 7 orë në Gjykatën Kushtetuese, nuk ‘mjaftoi’ për të marrë vendimin. Në seancën, ku u shqyrtua ankimi i Erion Veliajt për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës dhe kërkesa për shfuqizimin e dekretit të Presidentit Begaj, kryebashkiaku i arrestuar u ballafaqua me qeverinë dhe me presidencën. Ndërkohë, Kushtetuesja u tërhoq për vendim, duke mos dhënë detaje për datën apo orën, për seancën e ardhshme. Sipas ligjit, Kushtetuesja duhet të shpallë vendimin e arsyetuar brenda 30 ditëve.
Por, cilat janë mundësinë që ka në tavolinë Gjykata Kushtetuese?
Tre janë skenarët:
1. Rrëzimi i kërkesës së Erion Veliajt, çka do të hapte rrugën për zgjedhje të pjesshme në Tiranë;
2. Pranimi i plotë i kërkesës, që do ta rikthente Veliajn në detyrë dhe do të anulonte zgjedhjet;
3. Pranimi i pjesshëm, por opsioni i tretë, është gati i pamundur, pasi dy kërkesat e Veliajt janë të lidhura me njëra-tjetrën.
Çfarë ndodh nëse pranohet pretendimi i Veliajt?Nëse pranohet plotësisht pretendimi i kryetarit të shkarkuar, Veliaj do të rikthehet në detyrë edhe pse me pranga dhe zgjedhjet do të anulohen. Nga ana tjetër, nëse gjyqtarët vendosin me shumicë votash apo njëzëri të rrëzojnë kërkesën e Erion Veliajt, në Tiranë do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme, edhe pse jo në 9 nëntor siç presidenti Begaj. Juristi i tij deklaroi gjatë seancës se kompetenca e presidencës është ezauruar për një datë të re zgjedhjesh. Ndaj Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë në gjykimin e tyre edhe për kohën kur do të votohet në kryeqytet.
“Në rast se ju rrëzoni kërkesën duhet të merrni masat që zgjedhjet në Tiranë të zhvillohen pas hyrjes në fuqi të vendimit tuaj që kodi zgjedhor përcakton afatin 30 ditë minimumi deri në 45 ditë për të vendosur datën e re të zgjedhjeve.”, u shpreh Ilir Rusmaili.
Sipas argumentit të Rusmailit, nëse vendoset për mbajtjen e zgjedhjeve, afati më i afërt shihet në dhjetor, ndërsa më i largëti në mes të janarit 2026.
Megjithatë, për momentin, pritet të vendoset nëse Tiranë do të shkojë apo jo në zgjedhje të parakohshme…apo do të drejtohet sërish nga Erion Veliaj.





