Deputeti Pirro Vengu ka folur për Zvërnecin dhe debatin që po shoqëron planet për ta zhvilluar zonën. Duke e cilësuar protestën si legjitime dhe të denjë për t’u dëgjuar, Vengu tha se vetë debati i hapur për të ardhmen e zonës është një tregues i një demokracie më të shëndetshme dhe më të pjekur.
Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për diskutime të tilla mbi mënyrën e zhvillimit, raportin me mjedisin dhe identitetin, si dhe mbi sfidat që sjell konkurrenca globale.
“Çështja e vërtetë është se kemi të bëjmë me një protestë të denjë. Dikur do ta quanim europiane, sot mund ta quajmë një normalitet të ri në vendin tonë. Debati për mënyrën si zhvillohemi, si mbrojmë identitetin dhe ekosistemin, apo si sigurojmë zhvillim afatgjatë, tregon një farë shëndoshjeje të demokracisë sonë”, u shpreh Vengu në “Vizion Plus”, duke shprehur një mendim krejt të kundërt me të gjithë kolegët socialistë, që e konsiderojnë protestën si të gabuar.
Deputeti i Vlorës theksoi se diskutimi publik është reduktuar padrejtësisht te një resort, ndërkohë që çështja reale lidhet me modelin e zhvillimit të një aseti kombëtar dhe me të ardhmen e banorëve të zonës.
“Ne nuk po flasim vetëm për një resort, po flasim për modelin e zhvillimit në një aset kombëtar. Banorët e zonës e duan zhvillimin. Ata jetojnë aty prej dekadash, madje prej shekujsh, dhe duan begati për fëmijët e tyre. Duan që çdo zhvillim të jetë i ligjshëm, por bien dakord se zona duhet të zhvillohet”, tha ai.
Vengu nënvizoi se shpesh paprekshmëria absolute e një territori mund të kthehet në degradim, duke sjellë në vëmendje problematikat që lidhen me lagunën dhe ekosistemin e zonës.
“Kush flet për nevojën për të rehabilituar lagunën? Kush flet për dëmet që i shkaktojnë aluvionet dhe kanalet e kullimit të Vlorës këtij ekosistemi? Kjo është përditshmëria e banorëve dhe për këto probleme flitet shumë pak”, tha ai.
Duke komentuar edhe rrethimin me tela të zonës, Vengu e cilësoi atë si një akt të pakuptimtë dhe simbolikisht të gabuar.
“Rrethimi me tela është një feudalizëm moral i pashpjegueshëm”, tha ai duke komentuar aktin e dhunës së pak ditëve më parë.
Sipas Vengut, rasti i Zvërnecit duhet të shërbejë si një mundësi për të diskutuar me maturi se çfarë modeli zhvillimi kërkon Shqipëria dhe si mund të gjendet ekuilibri mes mbrojtjes së mjedisit, ligjshmërisë dhe mirëqenies së komuniteteve lokale.





