Qytetarët nuk e kanë humbur ritmin e protestave, duke shënuar sot plot dy javë që nga nisja e tyre.
Nuk mungojnë as sot simbolet kombëtare dhe pankartat me kërkesat dhe pakënaqësitë e protestuesve ndaj qeverisë.
Por, ajo që u vu re mes turmës ishin “zyrtarë të arrestuar”, me zinxhirë në duar dhe veshje portokalli që i përkasin burgut. Janë maskime këto nga të rinj, të cilët kanë zgjedhur këtë mënyrë protestimi, teksa përmes pankartave identifikohen si “Rama”, “Berisha”, apo dhe “Balluku”.
Një ditë më parë, qytetarët vendosën para Kryeministrisë një shkresë të përgatitur për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa sot kanë zgjedhur një simbolikë të veçantë.
Para institucionit janë vendosur këpucë të rreshtuara, që përfaqësojnë të gjithë ata qytetarë që janë detyruar të emigrojnë.
Ky akt simbolik synon të përçojë zërat e munguar dhe ndjenjën e mungesës së përfaqësimit, duke kërkuar vëmendje ndaj shqetësimeve të tyre dhe kritikave ndaj drejtimit të qeverisë nga Edi Rama.
Një kërkesë të veçantë ka pasur nga ana e protestuesve për Prokurorinë e Posaçme, rikthimin në krye të saj të Altin Dumanit.
Një nga protestuesit u shpreh se Dumani duhet të marrë në dorë “frenat e SPAK-ut”, e të nisë arrestimet e politikanëve të korruptuar.
“A jeni dakord për rikthimin e Altin Dumanit, dhe një mandat, për të fituar misionin që kishte nisur, për arrestimin e kësaj klase politike të korruptuar. Altin Dumani, rikthehu, merr frenat e SPAK-ut dhe fillo arrestimet sa më parë. Ti ke besimin e popullit shqiptar sot”, tha një nga protestuesit, ndërsa qytetarët e duartrokitën.
Në protestë është vënë re një prani e shtuar e qytetarëve nga diaspora, e cila sipas organizatorëve i jep tubimit një dimension më të gjerë kombëtar dhe ndërkombëtar.
Në shesh janë parë edhe flamuj të shteteve perëndimore, përfshirë SHBA, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, një simbolikë që protestuesit e lidhin me aspiratat për standarde më të larta të demokracisë dhe drejtësisë në Shqipëri, të ngjashme me vendet ku një pjesë e madhe e emigrantëve jetojnë.
Gjatë protestës, aktivisti Arben Kola u bëri thirrje pjesëmarrësve të shmangin përshkallëzimin e situatës dhe çdo formë dhune, duke theksuar se konfliktet politike nuk duhet të kthehen në përplasje shoqërore. Ai apeloi për qetësi dhe për një reflektim më të thellë mbi mënyrën se si, sipas tij, janë trajtuar problemet e vendit gjatë dekadave të fundit.
Në ditën e 14-të të protestës kundër investimit në Zvërnec dhe zhvillimeve në Rrjoll, protestuesve para Kryeministrisë iu bashkua edhe Florina Cani, nëna e 14-vjeçarit Martin Cani, i vrarë me thikë tragjikisht në Tiranë pas një konflikti me një moshatar.
Në fjalën e saj, ajo akuzoi institucionet për mungesë sigurie, drejtësie dhe kujdesi shëndetësor, duke deklaruar se djali i saj mund të ishte ende në jetë nëse aparaturat e zemrës në spital do të kishin funksionuar. Cani tha se prej 18 muajsh kërkon drejtësi dhe përshëndeti pjesëmarrjen e të rinjve në protestë.
Ndërkohë, aktivistja Luçiana Kokaj njoftoi se protestuesit në Rrjoll kishin hequr një pjesë të gardhit me tela me gjemba që rrethonte zonën ku parashikohet ndërtimi i një resorti turistik. Ajo solli para Kryeministrisë një pjesë të gardhit të hequr, duke deklaruar se “nuk ka gardh që i ndan shqiptarët”.
Sipas organizatorëve, protesta synon të kundërshtojë projektet e zhvillimit në bregdet dhe të ngrejë shqetësime më të gjera mbi largimin e të rinjve, drejtësinë dhe qeverisjen në vend.





