Geralb Smajli është futbollisti më i ri i Egnatias. Kampionët e Shqipërisë e kanë njoftuar edhe zyrtarisht afrimin e mbrojtësit të krahut të djathtë përmes një postimi në rrjetet sociale, aty ku 24-vjeçari shihet duke firmosur në një tabelë të bardhë ku reflekton edhe formacioni i rrogozhinave.
Smajli bëhet kështu përforcimi i dytë në këtë repart për trajnerin Nevil Dede, pasi më herët u rikthye edhe Alessandro Kacbufi që mbulon të njëjtin repart, veçse i pozicionuar më në qendër.
Në eksperiencat e tij të mëparshme, futbollisti në fjalë ka veshur fanellën e nënkampionëve të Superligës së Kosovës, pra Ballkanit, si dhe përvoja të vyera me Vllazninë në kampionatin shqiptar dhe moshat e Shkëndijës.
POSTIMI:
Mirësevjen në familjen e Egnatias, Geralb Smajli!
Një kapitull i ri nis sot me fanellën bardhëjeshile.
Të urojmë shumë suksese, fitore dhe momente të paharrueshme me Egnatian!





