Kristjan Asllani është në kërkim të një sistemimi të ri, por kërkon një klub që të mos rrezikojë rënien nga kategoria në Itali. Dhe për shkak të këtij qëndrimi që ka mesfushori i cili aktualisht është pjesë e Interit, ka ardhur edhe refuzimi ndaj Sasuolos, që ishte gati të bënte një lëvizje për të siguruar firmën e tij.
Ky refuzim është bërë i njohur në mediat italiane, por është “zyrtarizuar” nga vetë administratori i klubit të Serisë A, Xhovani Karnevali, i cili në një intervistë të dhënë për “TMW” ka shpjeguar shkurtimisht situatën e mesfushorit.
“A kemi një akord me Asllanin? Jo, pasi nga ana e lojtarit nuk ka interes për të ardhur te Sasuolo”, ishte përgjigja e qartë e tij për refuzimin që i kishte bërë mesfushori i Kombëtares shqiptare.
Duke pasur një kontratë afatgjatë me Interin, të firmosur në fillimin e sezonit të kaluar, Asllani nuk ka arsye pse të ngutet për të pranuar ofertën e parë që vjen në adresë të tij. Kjo duket se është strategjia e mesfushorit shqiptar, i cili mbetet gjithsesi për momentin i vetmi lojtar në radhët e zikaltërve që mund të zëvendësojë në pozicionin natyral turkun Çalhanollu.





