Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj kanë zhvilluar ditën e sotme eventin Grant 2026 nga Innovation4Albania (I4A) ku janë shpallur startup-et fituese dhe inkubatorët/akseleratorët që do të mbështeten përmes Grant 2026, me një fond të dyfishuar prej 6 milionë eurosh për sipërmarrjen inovative.
Pas shpjegimit të procesit dhe të dyfishimit të fondit, kryeministri në fund të fjalës së tij pati edhe një këshillë për të gjithë të pranishmit. Për të cilët tha se kishte dëgjuar që bullizoheshin, pasi merrnin fonde nga qeveria për të ndërtuar këto projekte, Rama u sugjeroi atyre që të mos i lexojnë fare komentet, pasi sipas tij nuk janë ato që përcaktojnë vlerën apo punën e tyre.
“Në fund fare kam edhe një fjalë për një fenomen shumë të shëmtuar të kohëve të fundit që ka prekur edhe një pjesë të atyre që kanë përfituar nga start up-i , që është bullizimi online i tyre me gjithëçfarëlloj sharjesh, fyerjesh, akuzash, nga burime që janë të padenja për vëmendjen tuaj.
Dhe duke qenë se në këtë fushë unë jam njishi për volumin e sharjeve akuzave sajesave, dua të ndaj një eksperiencë shumë të thjeshtë, mos zbrisni tek komentet! Janë jo përfaqësuese për çfarë ti bën , për kush je, dhe jo vetëm në këtë kohë shumë të ngarkuar që algoritmi ka kaluar në një fazë histerie por në çdo kohë, dikur unë i përgjigjesha komentuesve nisur nga ideja qe meritojë respekt, vëmendje, përgjigje, por e kuptova se ishte e gabuar, se në vend të merrja feed back pozitiv rrisja sasinë e baltës që më kthehej mbrapsht. Që athere jo vetëm që nuk i ktheva më përgjigje, por nuk zbres më fare për ti parë, vetëm po bëtë këtë do të kuptoni që ju jeni ata që doni të jeni. ”, u shpreh kryeministri ndër të tjera.





