30-vjeçari Kristjan Marku është vrarë sot, pranë një karburanti në zonën e Novoselës në Vlorë. I riu po udhëtonte me mjetin e tij, kur autorët i janë afruar dhe kanë qëlluar në ecje e sipër me breshëri plumbash duke i marrë jetën në vend. I ndjeri ishte një personazh i njohur për Policinë, pasi ishte i shpallur në kërkim për “vrasje me dashje të mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Marku, i cili përdorte edhe mbiemrin Bashaj u shpall në kërkim në tetor të vitit të shkuar së bashku me Aleksandër Senajn pasi kishin dhunuar dhe kërcënuar me armë zjarri pronarin en një karburanti në Mirditë.
“Pas kallëzimit të një 49-vjeçari, se në ambientet e karburantit që kishte në pronësi, në Mirditë, ishte dhunuar dhe kanosur me armë zjarri, nga 2 shtetas të cilët kishin refuzuar të paguanin për furnizimin e automjetit të tyre me karburant, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë kanë organizuar punën dhe kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Si rezultat i veprimeve hetimore të shpejta, janë identifikuar autorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit K. M. alias K. B., 29 vjeç dhe A. S., 28 vjeç, ky i fundit, aktualisht në kërkim nga Policia e Tiranës, për një tentativë për vrasje,”-njoftonte lidhur me ngjarjen Policia.
Po ashtu, në vitin 2023, ai u vendos në pranga nga Policia për shkak se u kap me armë pa leje. Asokohe, 28-vjeç, Marku po ndiqej nga Policia dhe për t’i shpëtuar kapjes me armën e zjarrit, këtë të fundit e kishte hedhur nga dritarja e mjetit. Për të njëjtën vepër penale ishte dënuar edhe në vitin 2022. E shkuara e tij me precedentë penalë mund të jetë shkaku për vrasjen e tij.





