Marçelino Preka dy vite më parë u ble nga Partizani për 60 mijë euro nga Bylisi. Të shtunën mbrojtësi u tregua vendimtar me golin kundër ish-ekipit, por nuk zgjodhi ta festojë për hir të viteve në klubin bardhekuq.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, 21-vjeçari flet për fitoren, synimet për titullin kampion dhe objektivat e së ardhmes. Aktualisht ai është titullar te kombëtarja Shpresa, por pretendon që në të ardhmen të ketë vend edhe te lista e Silvinjos apo atyre që do të pasojnë brazilianin.
Marçelino, fitorja e dytë radhazi, sa me vlerë është për vazhdimësinë?
Ishte fitore shumë e rëndësishme, aq më tepër që vjen pas një ndeshjeje tjetër pa pësuar gol. Gjithashtu më lumturon fakti se isha pikërisht unë që realizova golin e fitores dhe ndihmova ekipin.
Gol dhe lojtari i ndeshjes, sa e shtojnë këto paraqitje besimin te vetja pas dëmtimeve dhe luhatjeve me aktivizimin?
Goli është gjithnjë i bukur, veçanërisht për një mbrojtës, që nuk i ka të shpeshtë. Është e vërtetë që është një motiv shtesë për të shtuar vetëbesimin dhe për të vazhduar të rritem akoma më shumë si futbollist.
Si ndiheni në dyshen me Sembene në qendër? Keni krijuar “kimi” me njëri-tjetrin?
Po ndihem shumë mirë me Sembene, e kuptojmë shumë mirë lojën e njëritjetrit, por dua të theksoj se me të gjithë shokët në mbrojtje kuptohem mirë dhe tashmë njihemi mjaft mirë.
Sa e rëndësishme ishte të shkonit në pauzë me qetësinë e dy fitoreve radhazi?
Është gjë e mirë, sepse kemi qetësinë e duhur nga ana psikologjike. Tani kemi mundësinë të punojmë më të relaksuar dhe të vazhdojmë serinë e fitoreve, pasi përpara është një kampionat shumë i gjatë dhe ndeshje të tjera të forta e plot pengesa.
Më në fund në garë për vendin e parë, e shihni veten në këtë pozicion në fund?
Besoj se Partizani ka gjithë forcën dhe treguesit për ta mbyllur në krye deri në “Final 4”. Dihet mirë se Partizani hyn në çdo vit më synimin që në fund të dalë kampion.
Jeni bërë lojtar kyç në Kombëtaren Shpresa, por a besoni se diçka të tillë mund ta bëni edhe në Kombëtaren e madhe?
Kombëtarja A është ëndrra e çdo futbollisti dhe shpresoj shumë që një ditë ta arrij. Jam i bindur se me punë dhe përkushtim mund të shkoj deri te Kombëtarja e madhe.





