Policia e Tiranës ka arrestuar 19 persona pas incidenteve të regjistruara gjatë tubimit të zhvilluar të enjten pranë Kuvendit të Shqipërisë. Sipas njoftimit zyrtar, të arrestuarit akuzohen se kundërshtuan dhe goditën me sende të forta punonjësit e Policisë, dëmtuan një automjet policie, si edhe sulmuan deputetë të Kuvendit.
Në pranga kanë rënë: Besnard Kaimi, Aristotel Elezaj, Gentjan Progni, Durim Bami, Kujtim Pervataj, Romarjo Dushi, Ardit Ymaj, Niko Qarkaj, Ylli Shima, Ervis Gjoni, Frrok Bardhi, Rezart Pirani, Admir Tershalla, Alban Nikolli, Elvis Biçi, Altin Hila, Ervin Gega, Everes Bardhi dhe Arbër Lleshaj. Ky i fundit, sipas policisë, ka goditur një gazetar.
12 persona janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërsa grupi hetimor vijon punën për identifikimin e 6 personave të tjerë, të cilët janë dokumentuar me pamje filmike duke kryer akte dhune gjatë tubimit.
Policia bën me dije se nga përplasjet mbetën të dëmtuar 15 punonjës policie, ndërsa u dëmtua edhe një automjet i Policisë së Shtetit.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/ Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta punonjësit e Policisë, dëmtuan një automjet policie si dhe sulmuan deputetët e Kuvendit të Shqipërisë gjatë tubimit të zhvilluar dje, arrestohen 19 shtetas.
Procedohen penalisht 12 shtetas.
Vijon puna për identifikimin dhe të 6 shtetasve të tjerë që janë dokumentuar me pamje filmike për veprime të dhunshme.
Gjatë tubimit u dëmtuan 15 punonjës policie dhe një automjet policie.
Në vijim të veprimeve procedurale të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me tubimin e zhvilluar dje pranë Parlamentit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-B. K., 35 vjeç; A. E., 24 vjeç; G. P., 36 vjeç; D. B., 32 vjeç; K. P., 46 vjeç; R. D., 30 vjeç; A. Y., 40 vjeç; N. Q., 43 vjeç; Y. Sh., 52 vjeç; E. Gj., 39 vjeç; F. B., 56 vjeç; R. P., 35 vjeç; A. T., 34 vjeç; A. N., 35 vjeç; E. B., 45 vjeç; A. H., 35 vjeç; E. G., 23 vjeç, E. B., 20 vjeç.
Si dhe shtetasi A. Ll., 35 vjeç, pasi ka goditur një gazetar.
Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: F. D., 63 vjeç; Sh. B., 33 vjeç; V. D., 29 vjeç; E. Gj., 38 vjeç; T. T., 43 vjeç; E. A., 31 vjeç; G. S., 20 vjeç; R. D., 30 vjeç; A. M., 39 vjeç; M. J., 47 vjeç, A. G., 47 vjeç dhe A. K., 22 vjeçe.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishje e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të policisë” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Çfarë ndodhi dje?
Dje, më 2 korrik, protesta e zhvilluar pranë Parlamentit u shoqërua me tensione dhe përplasje që nisën që në orët e para të mëngjesit, përpara nisjes së seancës plenare.
Për të garantuar rendin dhe sigurinë, Policia e Shtetit ndërhyri për shpërndarjen e turmës, duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës, si dhe duke shoqëruar disa persona. Megjithatë, situata u përshkallëzua më tej, me episode dhune në zona të ndryshme të kryeqytetit, përfshirë dëmtimin e një automjeti policie pranë Kuvendit.
Më pas, disa protestues u zhvendosën drejt Ministrisë së Brendshme dhe Komisariatit Nr. 4, ku u dërguan edhe disa nga personat e shoqëruar, ndërsa forcat e rendit vijuan monitorimin e situatës deri në normalizimin e saj./





