Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ka mbështetur kërkesën e kreut të SPAK, Klodian Braho, për ndryshimin e kuadrit ligjor që rregullon mandatet e prokurorëve të posaçëm.
Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve për veprimtarinë e SPAK, Manja u shpreh se mazhoranca është e gatshme të iniciojë edhe ndryshime kushtetuese për të hequr kufizimin që nuk lejon rikandidimin e prokurorëve pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar.
Sipas tij, përvoja e fituar nga prokurorët gjatë nëntë viteve nuk duhet të humbasë vetëm për shkak të ndalimit të një mandati të dytë.
“SPAK është organ kushtetues dhe ka jetëgjatësi si institucion. Nuk është normale që, pasi prokurorët akumulojnë gjithë këtë eksperiencë, t’u thuhet të largohen pa pasur mundësi të rikandidojnë. Kush dëshiron të kandidojë për një mandat të dytë, duhet t’i nënshtrohet procesit të vlerësimit, si çdo prokuror tjetër. Përkohshmëria e prokurorëve cenon cilësinë e hetimeve. Bashkojmë votat, ndryshojmë Kushtetutën dhe heqim kufizimin për mandatin”, u shpreh Manja.
Megjithatë, propozimi i Manjës u kundërshtua nga deputetët e Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi dhe Gent Strazimiri, të cilët argumentuan se dispozitat aktuale janë miratuar me konsensus dhe nuk ka arsye për t’i ndryshuar.





