Elbasani dhe Partizani do të bëjnë mes tyre llogaritë për vendin e 4-të në tabelën e klasifikimit. Pozicion ky që të çon në “Final – Four” dhe të jep mundësinë për të tentuar edhe titullin kampion.
Ekipet do të sfidohen mes tyre ditën e dielë në orën 15:30 në “Arenën e Demave”, teksa do të përplasin “brirët” për 3 pikët. Në fakt për verdheblutë do të bënte punë edhe barazimi, pasi ekipi i Ivan Gvozdenovic është më i avantazhuar në përballjet direkte mes tyre në këtë sezon.
Në këtë mënyrë Elbasani luan për 2 rezultatet, teksaa Gvozdenovic ka edhe një rikthim të rëndësishëm në skuadër para kësaj sfide. Rikthehet “makthi” i Partizanit dhe bëhet fjalë pikërisht për Emiljano Mustën.
Mbrojtësi i majtë në këtë sezon ka mundur t’i shënojë plot 3 golave të kuqve, duke i dhënë kështu pikë të rëndësishme verdhebluve. Musta do të jetë i gatshëm për trajnerin serb, i cili në këtë mënyrë do të ketë një “armë” më shumë ndaj kundërshtarëve.