Këshilli Bashkiak i Pogradecit është përfshirë në debate e diskutime lidhur me projektin ‘Lungo Gjoli’. Një projekt ky ku planifikohet të ndërtohen ndërtesa shumëkatëshe në zonën e ish-Turizmit/Oktapodit, në breg të Liqenit të Ohrit – një pasuri natyrore e mbrojtur nga UNESCO. Projekti përfshin ndërtime me disa kulla, përfshirë një godinë 27-katëshe, vetëm pak metra larg liqenit. Ndërtimet e kullave janë kundërshtuar me tone të larta gjatë mbledhjes, ku banorët shprehen se ky projekt rrezikon identitetin dhe mjedisin e Pogradecit.
Teksa mbledhja e Këshillit Bashkiak u mbyll mes tensioneve, banorët kanë ndërmarrë nismën e radhës, me anë të një peticioni ku ftojnë të gjithë shqiptarët dhe dashamirësit e natyrës, të ngrejnë zërin kundër këtij krimi urban dhe ekocidi. Peticioni i hapur sot ka marrë firmën e mbi 700 banorëve deri tani.
Banorët kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të projektit shumëkatësh dhe transparencë të plotë dhe publikim të dokumentacionit urbanistik. Sipas tyre ky zhvillimi që pretendohet të jetë përparim turistik, në të vërtetë do të sjellë: betonizim dhe shkatërrim të bregut natyror të liqenit, ndërprerje të pamjes dhe aksesit në liqen për banorët, dëm të parikuperueshëm ndaj biodiversitetit dhe ekosistemit ujor si dhe ndotje të ajrit, ujit dhe tokës për shkak të gërmimeve dhe ndërtimeve masive.
Projekti “Lungo Gjoli”, prezantimi, lejet e ndërtimit dhe financimi
Projekti u prezantua nga vetë kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në Tushemisht të Pogradecit, më shkurt të vitit 2019, ku u shpreh se fshati është pjesë e projektit të “100 fshatrave turistikë” në Shqipëri.
Edi Rama: Do të kemi një ‘lungo gjol’ nga hyrja e Pogradecit deri këtu. Një segment i posaçëm i shkëputur i kësaj linje do të jetë edhe segmenti që do të ndërtohet në Lin. Punën ta avancojmë në cdo aspekt të programit, modelet dhe pikat e referimit që do të krijojnë gravitete të ndryshme, të një rilindje rurale të shtrirë në të gjitha komponentët e zhvillimit. Jam shpresë plotë që do të rikthehemi jo më për të prezantuar projektet, por për të nisur realizimin konkret të tyre. Ky nuk është një program i zakonshëm, së dyti nuk është program ndërtimi rrugësh rurale.
Projekti “Lungo Gjoli” në Pogradec është një iniciativë e madhe për transformimin e vijës bregdetare të liqenit, duke krijuar një shëtitore të re moderne që shtrihet nga qyteti drejt Tushemishtit, një investim i financuar pjesërisht nga Banka Gjermane (KfW).
Kush po ndërton
Fillimisht ishte plani i detajuar i zhvillimit, i miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit në dhjetor 2020, i cili hapi dritën jeshile për rikualifikimin e parkut nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Sipas projektit, në kufi të parkut mund të ndërtohen struktura turistike dhe godina hibride me qëllime tregtare. Menjëherë pas tij, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi më 24 dhjetor të 2024 projektet.
Buzë Liqenit të Pogradecit qeveria miratoi projektin e quajtur “Pogradec Marina” me një sipërfaqe prej 22 mijë m². Mësohet se kullat do të ndërtohen mbi lulishten e zonës së ish-hotel Turizmit të vjetër dhe të dhënat tregojnë se bëhet fjalë për ndërtimin e 5 kullave të larta. Më e madhja parashikohet të jetë 25 kate dhe më e ulta 13 kate. KKT miratoi lejen e ndërtimit për objektin “Pogradec Marina”, ku edhe pse investitor është një bashkim operatorësh, “Aramar Group” dhe “Arlis-Ndërtim”, pronari i vetëm përfitues është biznesmeni Armand Lilo.
Por ky nuk do të jetë projekti i vetëm, pasi në Pogradec po punohet edhe në parkun e Drilonit. Kompania “Kontakt” ka njoftuar zbatimin e një projekti të quajtur “Pyjet e Drilonit”, ku parashikohen ngritja e pallateve 12-katëshe në hyrje të Tushemishtit. Kompania ka nisur shitjen e apartamenteve, dhe si reklamohet çmimi nis me 1,500 euro/m². Kompania është në pronësi të Fatmir Bektashit, i cili është në akuzë për dy vepra penale “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash” në dosjen “Partizani” dhe në dosjen e kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Pogradec ka hedhur në Diskutim me Publikun projektin në kuadër të Programit të Zhvillimit Rajonal të Integruar, por banorët, ekspertët dhe organizatat mjedisore bëjnë thirrje për ruajtjen e zonës UNESCO-së, duke paralajmëruar rrezikun e humbjes së statusit të Trashëgimisë Botërore dhe dëmeve të mëdha ekologjike./ZËRI





