Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka njoftuar një rritje të ndjeshme të buxhetit ushtarak për dy vitet e ardhshme, në vlerën e 6.5 miliardë eurove, duke paralajmëruar se Evropa po përballet me rreziqe të paprecedenta nga Rusia, terrorizmi, sulmet kibernetike dhe fushatat e dezinformimit.
Në një fjalim të gjatë drejtuar Forcave të Armatosura, në prag të festës kombëtare të 14 Korrikut (Dita e Bastijës), Macron e cilësoi edhe Shtetet e Bashkuara si “faktor pasigurie”, duke theksuar se Evropa duhet të mbështetet më shumë tek vetja për çështjet e mbrojtjes.
“Që të jemi të lirë në këtë botë, duhet të na kenë frikë. Dhe që të na kenë frikë, duhet të jemi të fortë,” – deklaroi Macron.
Rritje e madhe e buxhetit ushtarak deri në 2027
Sipas tij, qëllimi është që deri në vitin 2027, Franca të arrijë 64 miliardë euro në shpenzime vjetore për mbrojtjen, më shumë se dyfishi i nivelit të vitit 2017, kur mori postin e presidentit.
Pavarësisht sfidave me borxhin publik, Macron u shpreh i vendosur se Franca do të sigurojë burimet e nevojshme për të fuqizuar ushtrinë e saj. Kjo iniciativë gjen mbështetje nga partitë konservatore dhe të djathta, ndërsa partitë e majta kritikojnë qeverinë për “sakrifikimin e të drejtave sociale në emër të mbrojtjes”.
Dialog për rolin e armatimit bërthamor francez në sigurinë evropiane
Macron u bëri thirrje partnerëve evropianë të angazhohen në një dialog strategjik për rolin që arsenali bërthamor francez mund të luajë në mbrojtjen e kontinentit, duke theksuar se kjo është një çështje që nuk mund të anashkalohet në kushtet aktuale të sigurisë.
Ai përmendi gjithashtu fushatat e dezinformimit online, që sipas tij kanë për objektiv edhe fëmijët, në një epokë të dominimit të teknologjisë dhe rrjeteve sociale.
Rritje e përgjithshme e shpenzimeve ushtarake në Evropë
Sipas Institutit Ndërkombëtar për Paqe në Stokholm (SIPRI), shpenzimet për mbrojtjen në Evropë u rritën vitin e kaluar me ritmin më të shpejtë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Totali arriti në 693 miliardë dollarë, me një rritje prej 17% krahasuar me vitin e mëparshëm.





