Dhjetra qytetarë kanë protestuar sot përpara drejtorisë së Policisë Rrugore në Tiranë, kundër vendimit të ministres së brendshme Albana Koçiu, për ndalimin e përdorimit të motomjeteve në rrugë, si dhe sekuestrimin të tyre në rrugët e kryeqytetit. Qytetarët u shprehën se veprimet e policisë janë të paligjshme, pasi asnjë vendim nuk është publikuar në Fletoren Zyrtare. Pavarësisht se ministrisë dhe policisë rrugore i është kërkuar informacion në lidhje me kohëzgjatjen e pezullimit që është deklaruar i përkohshëm, autoritetet janë njoftuar vetëm me njoftimin në rrjetet sociale të ministres Koçiu dhe drejtorit të policisë Ilir Proda. Qytetarët pas deklaratave të dhëna për mediat hynë në ambientet e brendshme të drejtorisë së policisë rrugore, ku për ironi të fatit, disa prej punonjësve kishin parkuar mjetet e tyre, pikërisht monopatinat.
“Sot kanë ardhur me skuter në punë, është paradoksale që vetë të vish me skuter në punë, dhe qytetarëve t’iua sekuestrosh. Nëse shihni në fund të koridorit keni disa skutera”, u shpreh një prej protestuesve.
Protestuesit u shprehën se janë pro masave dhe rregullave për qarkullimin në rrugë, por vendime të tilla nuk mund të merren në rrugë arbitrare dhe të menjëhershme, pasi cënojnë jetën e mijëra qytetarëve.
“Ku ishte ministria gjatë këtyre 5 apo 6 viteve që këto skutera janë shitur dhe janë tregtuar”, u shpreh një prej qytetarëve të pranishme në protestë.
“Si mund të presë një biznes që merret me shitjen apo riparimin e ketyre mjeteve një muaj apo 3 deri në live-n e radhës së ministres, ndërkohë që ky vendim i çon ata drejt falimentit”, vijoi qytetarja.
“Unë jam një përfaqësues biznesi i shitjes së mjeteve, që rastësisht duke drekuar me familjen, mora vesh falimentin tim. Ishte shumë e çuditshme, se çdo sipërmarrës e ka idenë e falimentit, por jo thjesht se po bën shërbimin në biznesin tënd. Ky vendim na ka rrënuar jo vetëm financiarisht, pore dhe moralisht. Mungesa e një afati të caktuar deri në nxjerrjen e rregullores së re, na dërrmon ne moralisht. Unë do të doja që të ishim pjesë e grupit të punës për të hartuar këtë rregullore të re, se ne jemi ata që e prekim terrenin çdo ditë. Ka mijëra fenomene të tjera që e pengojnë trafikun në Tiranë, dhe si biznes kërkoj një afat. Nuk mund të marrim ne përsipër që të mbajmë hapur biznesin, me kismet kur do të hapet, a do të hapet, dhe kur do të hapet”, u shpreh Redjan Muçaj, përfaqësues i biznesit që merren me shitjen e motomjeteve.
Më 12 tetor, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit njoftuan ndalimin e përkohshëm të përdorimit të monopatinave elektrike që nga e hëna, për shkak të rrezikut që mbartin deri në marrjen e masave të duhura. Ky vendim ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët





