Nga Eduard Zaloshnja
Kandidati i fundit që përzgjodhi Berisha të garonte për kryebashkiak të Tiranës (Këlliçi) e humbi keqazi garën (me pothuaj 60 mijë vota diferencë). Dhe deri para se Erion Veliaj ta paraqiste ankesën në Gjykatën Kushtetuese kundër shkarkimit të tij nga Këshilli i Ministrave, Berisha kishte hallin e madh se i duhej të përzgjidhte shpejt një kandidat tjetër për të garuar në Bashkinë Tiranë – ndërkohë që dy politikanët e PD-së me potencialin më të madh për ta ngushtuar diferencën e mësipërme kishin deklaruar publikisht se nuk do të futeshin në garë
Pikërisht ky nen i Kushtetutës, deri në përfundimin e çështjes Veliaj në Gjykatën Kushtetuese, ia lidh duart kushtetueshmërisht Presidentit Begaj për dekretimin e datës së zgjedhjeve të reja në Bashkinë Tiranë. Sepse Presindenti i Republikës nuk mund ta shkelë dot Kushtetutën e saj…
Nga ana tjetër, neni 115 ia zgjidh duart Berishës për të bërë lëvizje të nëndheshme në funksion të zvarritjes sa më të gjatë të shqyrtimit të ankesës së Veliajt në Gjykatën Kushtetuese (relatorja e çështjes është Sonila Bejtja, e emëruar si gjykatëse kushtetuese nga ish-Presidenti Meta dhe e mbrojtur vazhdimisht nga mediat pranë Berishës).
Synimi maksimal i Berishës është që shqyrtimi i ankesës së Veliajt të zgjasë deri në 18 muaj, në mënyrë që zgjedhjet në bashkinë e Tiranës të zhvillohen në të njëjtën datë me atë të 60 bashkive të tjera. Në pamundësi të arritjes së këtij synimi maksimal, ai do të ishte i kënaqur edhe me zvarritje sa më të gjatë të procesit në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që zgjedhjet në Bashkinë Tiranë të zhvillohen sa më larg 11 majit, ditës gjëmëmadhe kur pësoi humbjen më të madhe elektorale qysh nga 1997-ta…





