Nga ‘je lider i madh’ te paralajmërimi për luftë: Çfarë ndodhi në takimin mes Xi dhe Trump

Takimi mes Presidentit amerikan, Donald Trump, dhe liderit kinez Xi Jinping përfundoi pas rreth 2 orësh e 15 minutash, duke zgjatur afërsisht 35 minuta më shumë se takimi i tyre i fundit në Busan, Korenë e Jugut, tetorin e kaluar.

Pas përfundimit të bisedimeve dypalëshe, të dy liderët vizituan Tempullin e Qiellit në Pekin, një nga atraksionet turistike më të njohura të Kinës.

Ky kompleks madhështor arkitekturor, i ndërtuar në vitin 1420, njihet veçanërisht për Sallën e Lutjeve për Korrje të Mbara, një ndërtesë rrethore prej druri me çati tredimensionale të mbuluar me pllaka blu.

Trump është presidenti i parë amerikan në detyrë që viziton këtë vend që nga vizita e Gerald Ford në vitin 1975. Në traditën kineze, Tempulli i Qiellit simbolizon harmoninë mes qiellit dhe njerëzimit, ndërsa për afro 5 shekuj perandorët e përdorën atë për rite dhe lutje për korrje të begata.

Detajet që dihen deri tani nga takimi

Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura dhe Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë ende asnjë deklaratë zyrtare.

Megjithatë, agjencia shtetërore kineze e lajmeve Xinhua raporton se Xi Jinping i ka thënë Donald Trump se, nëse çështja e Tajvanit nuk trajtohet siç duhet, SHBA-të dhe Kina rrezikojnë “përplasje dhe madje konflikte, duke e vënë gjithë marrëdhënien në rrezik serioz”.

Lajme të tjera |  “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të përfshihen hapur apo direkt me regjimin e Enver Hoxhës, apo në raportet mes Tiranës, Moskës apo Pekinit, pasi…”/ Zbulohet dokumenti sekret i vitit 1962

“Pavarësia e Tajvanit dhe paqja në ngushticën e Tajvanit janë të papajtueshme si zjarri me ujin. Ruajtja e paqes dhe stabilitetit në këtë zonë është pika më e madhe e përbashkët mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara”, ka deklaruar lideri i Kinës.

Kjo deklaratë, raportohet se erdhi pas komenteve në nisje të takimit në Sallën e Madhe të Popullit, ku Trump u shpreh plot vlerësime për Xi, duke i thënë: Ju jeni një lider i madh, është nder të jem miku juaj!

Nga ana tjetër, Xi Jinping thuhet se ka mbajtur një ton më të ashpër në nisje të takimit. Ai është shprehur se historia dhe bota po shtrojnë pyetjen nëse të dy vendet mund ta kapërcejnë “Kurthin e Tukididit” dhe të krijojnë një model të ri marrëdhëniesh mes fuqive të mëdha, raporton Associated Press.

Sipas tij, marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të bazohen në bashkëpunim dhe jo rivalitet, duke theksuar se “interesat e përbashkëta tejkalojnë dallimet” dhe se stabiliteti mes SHBA-ve dhe Kinës është i domosdoshëm për botën. Xi ka nënvizuar se ky vit mund të jetë një moment kyç për marrëdhëniet dypalëshe.

Lajme të tjera |  Përvëlohet Shqipëria, sot temperaturat kapin 42 gradët

Ndërsa sipas zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, Xi ka folur po ashtu për raportin e shteteve në tregti, duke deklaruar se “ekipet ekonomike kanë prodhuar rezultate përgjithësisht të balancuara dhe pozitive, për të dy popujt dhe për botën”.

“Të dy palët duhet të ruajnë së bashku këtë momentum të mirë që kemi punuar me vështirësi për ta krijuar“, ka shtuar Xi, siç shkruan Ning në një postim në X.

Janë diskutuar edhe çështje të tjera globale, përfshirë Iranin dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme. Megjithatë, për momentin nuk është bërë e ditur nëse palët kanë arritur ndonjë marrëveshje konkrete.

Vendi ishte mbyllur për turistët në ditët para samitit Trump-Xi, në pritje të vizitës presidenciale. Si shenjë e përgatitjeve për këtë vizitë, një segment rruge pranë portës veriore, që më parë ishte i amortizuar, u riparua brenda natës. Ndërkohë, drejt Kinës së bashku me Trump këtë javë udhëtoi edhe Elon Musk, pavarësisht procesit gjyqësor në vazhdim lidhur me padinë e tij kundër OpenAI dhe urdhrit të një gjykatësi federal që ai të jetë i gatshëm të rikthehet për të dëshmuar në çdo moment.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us