‘Partizani’/ GJKKO sërish pa vendim, Berisha kërkon përjashtimin e gjyqtares

Gjykata e Posaçme pritej të jepte sot vendimin në lidhje me pranimin ose jo të kalimit për gjykim të dosjes ‘Partizani’. Por sërish nuk ka patur një vendim, ndërsa seanca e radhës do të mbahet më 5 maj. Këtë herë shkak për shtyrjen është bërë kërkesa e avokatëve mbrojtës të të pandehurve, të cilët kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Fjorela Davidhi. Davidhi është e njëjta gjyqtare, e cila liroi, kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha nga arresti shtëpiak.

“Depozituam në formë të shkruar kërkesën për përjashtimin e gjyqtares dhe sipas procedurës, seanca u ndërpre sepse gjyqtarja as nuk mund të japë apo marrë vendim pa u shprehur një gjyqtar tjetër i kësaj gjykate lidhur me përjashtimin e saj. Seanca tjetër u la në datën nëse Davidhi do të jetë gjyqtarja e çështjes, ose nëse gjykata do të pranojë kërkesën tonë për përjashtim, por paraprakisht gjykata pranoi në datë duke konsideruar faktin për të mos u vonuar nëse do të rrëzohet kërkesa jonë jemi të detyruar të vijojmë me Davidhin”, tha Gjokutaj.

Lajme të tjera |  Protesta e 5-të për Zvërnecin! Vargu i qytetarëve s'ka fund...fëmijë e gra në rresht të parë: Revolucion, dorëheqje

Të pandehur janë ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë, biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina. Në seancën e zhvilluar një ditë më parë (23 prill), avokati Genc Gjokutaj u shpreh se pala mbrojtëse kërkoi kohë për konsultim ndaj vendimmarrjes. Por, gjyqtarja Fjorela Davidhi rrëzoi kërkesat e avokatëve mbrojtës për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të provave të SPAK.

Seancat shënojnë plot 6 muaj që nga mbajtja e seancës së parë paraprake në 24 tetor të vitit të kaluar. Gjatë kësaj periudhe, procesi është zvarritur vazhdimisht përmes justifikimeve të ndryshme, përfshirë mungesën e avokatëve dhe leximit të qindra faqeve në seanca.

Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të “korrupsionit pasiv” të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t’iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.

Lajme të tjera |  SPAK sekuestron një vilë në Dhërmi për të cilën dyshon se është në pronësi të Ballukut, shtohen dy akuza të reja

Aktualisht Berisha është në liri, por me masën “detyrim paraqitje”, 2 herë në javë. Por SPAK ka kërkuar që kryedemokrati të kthehet në arrest shtëpie duke ankimuar vendimin e GJKKO-së. Ndërkohë SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuzë zyrtare për Berishën, atë të korrupsionit pasiv.

Ndryshe nga Sali Berisha, dhëndri i tij ndodhet nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’.Ndaj Jamarbër Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhen me privatizimin e ish-klubit Sportiv Parizani. Përveç dyshes Berisha-Malltezi, nën akuzë janë edhe Fatmir Bektashi, Andja Pustina dhe Xhimi Begeja.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us