Përtej sallave të Parlamentit, debateve politike dhe studio televizive, shumë deputetë kanë ose kanë pasur marrëdhënie shoqërore që nuk shfaqen në publik. Një nga këto raste është edhe ai i deputetit të PS-së, Erion Braçe, dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi. Gjatë një interviste në emisionin “Kjo Javë” në News 24, Braçe zbuloi disa detaje të pathëna për marrëdhënien e tij me ish-deputeten. Ai rrëfeu se kishte qenë dëshmitar në martesën mes Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës.
Deklarata e tij vjen një javë pasi Monika Kryemadhi rrëfeu në të njëjtin emision se kishte dhënë dorëheqjen nga vendi i deputetes në vitin 1996, kur të dy ishin pjesë e Partisë Socialiste.
“Ajo që thotë zonja është e vërtetë. Në ’96 kam hyrë në listën e PS-së nga Forumi Rinor Socialist, dhe zonja ka qenë drejtuese në këtë periudhë,” -tha Braçe.
Po sot, a ka komunikim mes tyre?
Sipas Braçes, ka vetëm “mirëmëngjes” dhe “mirëmbrëma”, teksa la të kuptohej se tashmë mbajnë një raport formal. Ai gjithashtu komentoi dhe krizën në çiftin Meta-Kryemadhi.
“Po, vetëm ‘mirëmëngjes’ dhe ‘mirëmbrëma’. Më vjen keq për gjithçka ka ndodhur mes tyre. Kam qenë dëshmitar në martesën e tyre dhe, nëse do t’i jepja një këshillë… do ta jepja vetëm nëse e takoja. Është një çështje shumë familjare dhe nuk do të ishte e përshtatshme ta bënim publike,” -u shpreh Braçe.





