Primare me përplasje në PD/ Zërat kundër dorëheqjes së krerëve të degëve, Berisha i vë ‘vulën’: Duhet garë e barabartë!

Partia Demokratike celi dje siparin për Primaret! Nga selia blu u shpërnda një mesazh për të gjithë krerët e degëve, të paktën për ata që duan të garojnë dhe të tentojnë për të siguruar një post në Kuvendin e Shqipërisë. Por pa nisur mirë si proces, brenda selisë blu ka pasur një ndarje qëndrimesh pro dhe kundër. Ndër të parët që ka dalë kundër (të paktën publikisht) primareve është drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Qarkun Vlorë, Bujar Leskaj. Kritikën e tij e ka bërë në rrjetet sociale ku shprehet qartë se nuk është dakord që krerët e degëve të lënë postet. Sipas tij, ata i janë nënshtruar njëherë votimit të brendshëm dhe janë në krye të PD-ve lokale prej parimit “një anëtar, një votë”. Ai thotë se duhet të jenë drejtuesit politikë ata që duhet t’i nënshtrohen Primareve, pra duke futur kështu edhe veten në votime.

“Kryesia e Partisë Demokratike nuk duhet të harrojë se Kryetarët e Degëve ishin nga të parët që u afruan në procesin e rithemelimit dhe qëndruan konseguent gjatë këtyre viteve. Kryetarët e degëve të Partisë Demokratike, sëbashku me Kryetarin e PDSh-së Prof.Dr.Sali Berisha, janë institucionet e vetme brenda Partisë Demokratike të dalë nga vota e demokratëve me parimin “një anëtar, një votë”, sikurse dhe Sekretari i Përgjithshëm z.Flamur Noka, i votuar (me votim të fshehtë e garë) nga Këshilli Kombëtar. Kujtoj, se në Qarkun e Vlorës, kemi dhe Kryetar Degësh të votëbesuar dy herë, në harkun kohor të tre viteve, në Degën e PD Selenicë dhe Sarandë. Në këndvështrim tim Kryetarët e Degëve të Partisë Demokratike nuk kanë pse të dorëhiqen nga pozicioni, të cilën e kanë fituar e mbajtur me votën e anëtarësisë së Partisë Demokratike, si votëbesim e proces i mirëfilltë primaresh. Në gjykimin tim, Kryetarët e Sekretarët e Degëve, qofshin aspirantë apo jo për deputetë të ardhshëm duhet të kualifikohen të votëbesuar, për t’u nominuar në përzgjedhjen e kandidatëve, në ndërtimin e listës përfundimtare. Lista përfundimtare natyrisht duhet/do të vendoset nga Kryetari i Partisë Demokratike dhe çdo kandidat duhet të pranojë paraprakisht një kod etiko-politik në respektimin pa kushte shtesë të çdo pozicioni të dalë nga ky vendim. Sot për Partinë Demokratike është i nevojshëm sinergjizimi i strukturave, duke nisur nga Kryetari Prof.dr.Sali Berisha,Kryesia e partisë,drejtuesit politikë të qarqeve, kryetarët e degëve,kryesitë e tyre, çdo kryetar e sekretar grupseksioni e seksioni, anëtarët e demokratët e pandarë, si strategji e fitores, e cila funksionon në harmoni. Nëse njëra nga këto hallka shkëputet, shkakton konfuzion, dobësi, destabilizim dhe çdo shpërqendrim nga këto prioritete e çdo gabim në primare do të ishte shumë e dëshiruar nga/për kundërshtarët tanë politikë, të cilët do të përfitonin të thellonin diversionin e tyre ndaj Partisë Demokratike. Sot nuk na falet asnjë gabim!,”-shkruan ai ndër të tjera.

Skeptik për të njëjtin proces duket edhe deputeti i qarkut të Lushnjes, Saimir Korreshi. Për të drejtuesit e qarqeve të PD nuk duhet t’i nënshtrohen primareve, ndërsa shton se teksa jemi 4 muaj larg zgjedhjeve, koha nuk është në favorin e PD.

“Pavarësisht se do ketë primare, nuk e di si do bëhen, se nuk e ka të përcaktuar statuti se si bëhen. Drejtuesit e qarqeve nuk do futen në primare, me aq sa di. Ata të tjerët për ca do futen në primare. Në të gjitha variantet prapë do ketë pakënaqësi. Koha nuk është në favorin tonë, duhet parë mirë kryesia e Këshilli si do të veprojnë. Do ketë primare besoj. Nëse nuk vjen PD në pushet nuk kanë rëndësi ato emra, por sa e shpërblen Partinë Demokratike me pushtet. Ky vend po kërkon ndryshimin e pushtetit,”-tha Korreshi në një studio telefivize.

Ndërsa për një tjetër aktivist të Partisë Demokratike, procesi nuk ka asnjë surprizë dhe kushtet janë të pasqyruara qartë në Statutin e partisë. Për të, akti i dorëheqjes së kryetarit të degës është një shenjë barazie me kandidatët e tjerë.

“Sa i përket primareve ka analiza të ndryshme që mund të bësh, por duhen zgjedhur kandidatët. Nuk ka mënyrë më të mirë për të zgjedhur kandidatët se sa nëpërmejt votës. Do mundohemi të kemi një proces sa më transparent për primaret. Do të ndiqen të gjitha procedurat për çdo njeri që ka ambicie. Jryetarët e degëve e dinë që duhet të japin dorëheqjen. Ata e dinë, nuk i ka ardhur surprizë. Është çështje barazie. Nuk mendoj se e dëmton partinë në këtë moment, por mendoj se angazhimi ynë politik nuk duhet të jetë se cili proces politik është më i mirë apo më i keq. Ne kemi një mision të qartë dhe ai është rrëzimi i qeverisë,”-shtoi Balliu.

Lajme të tjera |  “Djalë i keq, do t'i hiqen lejet e sigurisë”, Trump shpall “non grata” ish-sekretarin Blinken

Nga diskutimi nuk mbeti jashtë edhe propozuesi i Primareve, kryedemokrati Sali Berisha. I pyetur për diskutimet e brendshme, Berisha u shpreh se Primaret nuk do të anashkalohen dhe se pikat e Statutit duhet që të respektohen të gjitha që të sigurohet një proces i pavarur dhe i paanëshëm. Ndërsa për drejtuesit politikë tha se do të cakohen nga Këshilli Kombëtar.

PJESË NGA KONFERENCA PËR MEDIAT:

Elda Menga, TCH: Ndërkohë për tu ndalur edhe tek një pjesë tjetër e zgjedhjeve. Ajo e zgjedhjeve të brendshme në PD. Një ditë më parë PD njoftoi se ka hedhur hapat e parë për mbajtjen e procesit të primareve, duke njoftuar edhe kryetarët e degëve që nëse duan të marrin pjesë në primare dhe të futen në garë për deputet, të japin dorëheqje. Një njoftim që nuk është pritur mirë nga deputet i PD, Bujar Leskaj i cili ka vlerësuar kryetarët e degëve dhe sekretarëve si i vetmi institucion që i janë nënshtruar votimit dhe ka sugjeruar që pjesë e primareve të jenë edhe drejtuesit e PD, pra të jenë në listë të hapur. A do e pranojë Sali Berisha një sugjerim të tillë dhe kur do të nisë procesi i primareve.

Sali Berisha: Tani, procesi i primareve është një proces statutor. Qëndrimi i kryetarëve të PD, ose kërkesa për dorëheqjen e kryetarëve të PD është statutore, ka një nen në statutin e PD, i cili thotë; në rast se kryetari i partisë do të kandidojë, ai duhet të japë dorëheqje para se të zhvillohen primaret. Pse? Sepse ai tjetri që do të kandidojë, ai kërkon garë të barabartë dhe garë të barabartë, unë kryetar dhe tjetri thjeshtë nuk ka. Ndaj dhe kjo është një normë statutore. A do hynë në garë drejtuesit e PD, gara është e hapur për të gjithë. 

– Po drejtuesit politikë të qarqeve?

Sali Berisha: Drejtuesit politikë të qarqeve do të vendosë Këshilli Kombëtar. Por lista e mbyllur do të përcaktohet nga gara, nga primaret dhe rezultati në primare. Por meqë jam këtu tani, unë ftoj të gjithë demokratet, demokratët dhe të gjithë ata që duan të marrin pejsë në garën e primareve. Të fillojnë që sot garën për votën e diasporës. Dmth, të fillojnë që sot regjistrimin e numrit më të madh të mundshëm të qytetarëve me të drejtë vote në emigracion dhe diasporë. Do të jetë dhe ky një kontribut i tyre i madh dhe që padiskutim do të marrë vlerësimin e duhur.

Ndërkohë që nga dita e djeshme kur kryetarëve të degëve të PD-së u është dërguar një njoftim që u bënte me dije se nëse donin që të marrin pjesë në Primare, duhet që të linin postin e tyre. Pas këtij udhëzimi, dhe pavarësisht zërave kundër, sot ka ardhur edhe dorëheqja e parë nga degët e PD-së. Ka qenë kryetarja e PD-së së Sarandës, Manjola Nikollo, e cila ka dhënë dorëheqjen nga posti drejtues dhe ka shprehur ambicien për garën e primareve.

“Kurrë nuk e kam quajtur privilegj të qenit drejtuese, por akt sakrifice për të mirën e përbashkët, në mënyrë të veçant këto 12 vjet të vështira të opozitë që kemi përjetuar të gjithë bashkë. Krah jush, kam punuar si e barabartë mes të barabartëve, si demokrate mes demokratësh por mbi të gjitha si një qytetare e cila politikën e sheh si mjet për të shërbyer e jo për të përfituar. Gjithnjë kam luftuar për të arritur e jo të qëndroj e heshtur përball padrejtësive, sepse kam besuar gjithnjë se qëndresa e guximi janë mjeti i duhur që ne t’ja dalim. Kandidatura për deputete, nuk ka qenë kurrë qëllim në vetvete. Qëllimi im ka qenë gjithnjë kontributi për Partinë Demokratike pavarësisht pozicionit. Por mendoj se në këto momente janë pjekur kushtet, që përfaqësimi im, i joni së bashku, të kalojë në këtë stad të ri. Nuk preferoj dhe nuk kam preferuar kurrë emërime, ndaj do të garoj sërish, ashtu si kam bërë gjithnjë, duke filluar nga seksioni, kryesia e deri tek drejtimi i degës. Duke filluar nga sot, do të kërkoj mbështetjen e çdo anëtari për garën e Primareve, me një objektiv dhe vizion të qartë. Jam e bindur se, bashkë ne mundemi, jo vetëm që Saranda të jetë e përfaqësuar në nivel qëndror me një banor të sajin, atë që ja di e ja “qan” si duhet hallet qytetit, por edhe Partia Demokratike të arrijë fitoren e shumëpritur por edhe të merituar. Ju kërkoj me përulje, që në garën e Primareve të gjykojmë ftohtë e me maturi, të veprojmë si demokratë e të sillemi me qytetari. Nuk është garë emrash, por është garë dinjiteti. Është gara e të gjithë ne, që t’i ofrojmë çdo votuesi mundësinë për të zgjedhur qytetarin e mirë, intelektualin, politikan e drejtë, por mbi të gjitha përfaqësuesin e tyre të devotshëm. Jam e bindur se përfaqësoj këto cilësi, e mbi këtë bazë do të kërkoj edhe mbështetjen tuaj,“-lajmëroi ajo në rrjetet e saj sociale.

Lajme të tjera |  Rama për “La Razón”: Trump mund të jetë një bekim për Evropën, mund ta zgjojë dhe ta bëjë fuqi të madhe

Një tjetër zonjë që la postin ishte edhe kryetarja e degës së PD në Himarë, Afrovita Dhimojani. Edhe kjo e fundit në rrjetet e saj sociale njoftoi dorëheqjen dhe kërkoi votëbesimin e qytetarëve të Himarës.

“Si drejtuese e Degës Himarë prej tre vitesh, kam qënë përballë me pushtetin, me armën e vetme fjalën, mbrojtjen e Himarës, votën dhe besimin në zot. Këtë nuk mund ta kisha bërë pa mbështetjen e anëtarëve të Partisë Demokratike, aleatëve dhe qytetarëve. Partia Demokratike kandidatët e saj, do t’i përzgjedhë me procesin e Primareve, me parimin “një anëtar një votë”. Ky ka qënë angazhimi i Kryetarit të Partisë Demokratike, Prof. Dr.Sali Berisha, i sanksionuar me statut. Një angazhim që hap garën dhe meritokracinë, një angazhim që më dha besim mua dhe shumë demokratëve të zhgënjyer për t’u bërë pjesë e garave brenda strukturave. Sipas udhëzimit të Partisë Demokratike, dua t’ju informoj se kam marrë vendimin të konkurroj në Primare, duke dhënë dorëheqjen nga Kryetare e Degës Himarë. Që sot e në vijim do të kërkoj mbështetjen me votë çdo anëtari dhe simpatizanti të degës Himarë! Gara është e vetmja rrugë të dëgjohet gjithësecili për të votëbesuar përfaqësuesin e tij,”-njoftoi Dhimojani.

Mesa duket shqetësimi i Leskajt nuk ka gjetur mbështetje në bazë dhe kryetarët e degëve janë të gatshëm që të lënë postet e tyre dhe të garojnë si të barabartë me demokratët e tjerë. Në fund fiton më i votuari. Kjo është hera e tretë që do të zhvillohen “Primaret” në Partinë Demokratike. Më parë ato janë mbajtur për herë të parë në zgjedhjet e 25 prillit të 2021 dhe për të dytën herë për zgjedhjet e 14 majit 2023. Ndryshe nga më parë kur ato mbaheshin pothuajse 6 muaj para zgjedhjeve, kësaj radhe ato do të mbahen pothuajse 3 muaj para. Por, ndryshe nga të parat, herën e dytë që u zhvilluan, ato shënuan dhe rikthmin e kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha.

Por çfarë janë Primaret?

Primaret në vetvete përmbajnë rregulla mbi përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Siç shkruhet në dokument, në mbyllje të primareve për zgjedhjet që do të mbahet konsiderohet i përzgjedhur dhe fitues ai kandidat i cili merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i një selie të PD-së në një qark të caktuar. Por, në rast se asnjë nga kandidatët nuk siguron votat që duhet, atëherë kalojnë në balotazh dy kandidatët me numrin më të lartë të votave. Po ashtu, kandidatët për Primaret mund të propozohen nga anëtarët e PD-së, por edhe mund të vetëpropozohen për garën.

Kriteret e kandidatëve

Kandidatët që duan të kualifikohen për në primare duhet gjithashtu të plotësojnë këto kritere: Të jenë aktiv në jetën publike, duke mbrojtur kurdoherë interesat, vlerat dhe parimet e PD. Kur kryetari ose sekretari i degës kandidojnë në primare për zgjedhjet e pushtetit vendor, detyrat përkatëse ushtrohen nga nënkryetari i degës në përputhje me parashikimet e Nenit 40 pika 1 të Statutit të PD; Kandidatët në primare për zgjedhjet vendore duhet të jenë personalitete publike me profil të lartë politik ose profesional, integritet dhe me ndikim shoqëror në komunitetin ku jetojnë e punojnë.

Po ashtu, ka edhe një kusht tjetër. Në të gjitha garat për primare, kandidatët zhvillojnë të paktën një debat publik për të shpalosur platformën e tyre përpara votuesve. Kandidatët mund të bien dakord edhe për debate të tjera. Rregullat e debatit, vendi dhe moderimi i tij, përcaktohet nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE) në bashkëpunim me kandidatët. Deri më tani nuk ka asnjë njoftim si do të ndahen kandidatët nga aleanca me Partinë e Lirisë. Me kreun e PL-së të burgosur, ende nuk ka asnjë deklaratë dhe asnjë vendim.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us