Kryeministri Edi Rama reaguar edhe sot lidhur me protestën e qytetarëve, e cila shënoi ditën e 25-të. Kreu i qeverisë ka ndarë në rrjetet sociale një video dhe mesazhin e një qytetari, i cili ka zgjedhur të shohë realitetin shqiptar nga një këndvështrim tjetër. Konkretisht me anë të një video ku shfaqet Rama, qytetari me profilin “@mr.elprofe” shpjegon se ka tentuar të ‘veshë këpucët’ e kryeministrit, jo për të bërë lajka, por për të kuptuar peshën e vendimmarrjes përtej shkëlqimit të skenës dhe betejave të përditshme.
Në mesazhin e qytetarit thuhet se në Shqupëri janë bërë gjëra të mira dhe thekson se postimi i tij nuk tregon mbështetje për askënd. Rama e ka vlerësuar këtë gjest si një mesazh të veçantë mes komunikimeve të shumta, duke e shpërndarë atë si një thirrje për reflektim mbi vështirësitë dhe arritjet e vendit.
Edi Rama:
MIRËMËNGJES dhe me një nga mesazhet e shumta të këtyre ditëve të habitshme në të keq e në të mirë, të cilin dikush bujarisht e ka postuar e një tjetër miqësisht ma ka dërguar, ju uroj një ditë të mbarë
***
Ja profili i të panjohurit bujar që më çoi miku me statusin e postimit të videos
@mr.elprofe
Provova t’i vesh për pak çaste këpucët e kryeministrit.
Jo për t’i bërë lajka.
Jo për të bindur askënd.
Thjesht për të parë si do ta shihja unë botën në vendin e tij.
Jam rritur në një Shqipëri ku nuk bëje dot 200 metra pa t’u grisur këpucët.
Do të ishim naivë po të thoshim se nuk janë bërë edhe gjëra të mira.
Kjo nuk do të thotë se çdo gjë është perfekte.
As që nuk janë bërë gabime.
Por për sqarim:
Unë nuk ha bukë nga shteti shqiptar që prej vitit 1997.
Nuk jam as i shitur.
As i blerë.
Dhe nuk mbështes verbërisht askënd.
Kjo këngë është thjesht një përpjekje për të parë anën tjetër të historisë.
Një kundërrrymë ndaj asaj që dëgjojmë çdo ditë.
E di që do shahem.
Por s’ka problem.
Sepse në fund të fundit:
I shari shan.
I mençuri mendon.





