Ermir Spahiu do të vazhdojë që të jetë pjesë e ekipit të Besës. Sulmuesi 23-vjeçar dhe klubi nga Kavaja kanë rënë dakord për zgjatjen e bashkëpunimit mes tyre.
Kontrata e Spahiut përfundonte më 30 qershor, ndërsa janë marrë masa paraprake. Është zyrtarizuar pikërisht rinovimi i kontratës, e cila tashmë do të jetë e vlefshme deri në verën e vitit 2028.
Kujtojmë se 23-vjeçari është “prodhim” i Partizanit dhe ka luajtur si i kuq deri në vitin 2023, me një shkëputje huazimi te Luzi. Pikërisht në atë vit, Ermir Spahiu mbylli aventurën me “Demat” për të nisur një të re në Kavajë.
Ndërsa në sezonin që lamë pas, Spahiu ishte një nga protagonistët e “verdhezinjve”. Në 32 ndeshje që mori pjesë, 23-vjeçari ia doli që të shënonte 6 gola e të asistonte në 7 të tjerë.





