Në kontrast të thellë me atë çfarë është duke ndodhur në kampin e opozitës e zhytur në përçarjen më të thellë prej krijimit, Partia Socialiste ka ndezur motorët elektoral, në funksion të zgjedhjeve të përgjithshme të 2025-ës, paçka se ato do të zhvillohen pas një viti.
Përmes një angazhimi total socialistët kanë nisur skanimin e performancës të gjitha strukturave në bazë.
Formula e zgjedhur përfshin të gjithë anëtarët e Asamblesë Kombëtare.
Blendi Klosi, sekretar i Përgjithshëm i PS, në një intervistë për Top Channel, shpjegon këtë proces me synimin final marrjen e një mandati të katër qeverisës.
Sipas statutit të PS, ministrat dhe zëvendës ministrat janë automatikisht anëtarë të Asamblesë Kombëtare, gjë e cila i ka përfshirë edhe ata në procesin e skanimit të bazës.
Të qenurit anëtarë të Asamblesë Kombëtare, automatikisht ka përfshirë në këtë ri-energjizim të partisë edhe emra të njohur të shkëputur nga politika aktive siç janë Namik Dokle dhe Gramoz Ruçi.
Procesi skanimit të bazës socialiste përfshi zgjedhjet brenda organizatave të kësaj force politike janë dy prej çështjeve prioritare për diskutim në Asamblenë Kombëtare socialiste e cila do të mblidhet paraditen e të Dielës.
Nuk është vendosur ende nëse fjale e kryetarit të partisë Edi Rama do të jetë publike apo vetëm për anëtarët e asamblesë./tch





