Dy të rinj kanë shkuar mbrëmjen e djeshme në një prej lokaleve të qytetit të Strasburgut ku po qëndronin disa deputetë të grupit parlamentar të PS-së dhe i kanë kërkuar llogari për protestat që po mbaheshin në Tiranë.
Mes deputetëve socialistë ishte edhe Taulant Balla, i cili ndodhej në qytetin francez për mbledhjen e përbashkët me Parlamentin Europian.
“Po lozni letra, po kënaqeni? Keni dëgjuar që po bëhet protestë në Shqipëri? Si nuk iu vjen turp”, dëgjohen të thonë të rinjtë teksa po filmonin të gjithë skenën.
Përballë tyre, deputetët e PS-së kanë vijuar bisedat duke shmangur reagimin.
Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, Balla I ka cilësuar protestuesit si sorrat e Berishës.
“Ja dhe dy sorra që na i çoi Saliu tek hoteli në Strasburg. Jam i sigurt që nesër do postojnë një video si na pritën ne me protesta. Pse po pini birra ishte sulmi . Kanë ndryshuar kohërat, dikur çonte Sali Lushën për sulme fizike”, shkruan Balla.





