Kryeministri Edi Rama e quan një moment historik hapjen zyrtare të grup-kapitullit të parë të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Rama thotë në një reagim në rrjetet sociale se ky moment është “kurorëzimi i përpjekjeve” për mirëqeverishe dhe luftën ndaj korrupsionit.
Sipas tij, hapja e negociatave, është një përgjigje për ata që sulmuan komisionin “Xhafaj”, antikorrupsion, që s’ka nisur ende nga puna.
Komenti i Ramës:
Një moment historik kurorëzimi i përpjekjeve të mëdha të deritanishme në fushën e mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit*
Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat për Grup-Kapitujt, “Themeloret”:
-Funksionimi i institucioneve demokratike
-Reforma në administratën publike
-Gjyqësori dhe të drejtat themelore
-Drejtësia, liria dhe siguria
-Kriteret ekonomike
-Prokurim publik
-Statistikat
-Kontrolli financiar
*mbase përmbajtja e këtij Grupi-Kapitujsh dhe volumi i detyrave për t’u kryer, do t’ua ndriçojë fillin e arsyes edhe të gjithë atyre që ngritën akuza të paarsyeshme kundër Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin





