Para nisjes së sesionit të ri parlamentar, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi u ka nisur një letër kryetarëve të partive parlamentare dhe Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore mbi çështje të përgatitjes të zgjedhjeve dhe të Kodit Zgjedhor.
Në letër Celibashi shkruan për një sërë çështjesh që ende nuk kanë gjetur zgjidhje, duke përmendur votën e emigrantëve, hersi, adresimi i rekomandimeve të OSBE për Reformën Zgjedhore, votimi elektronik, financimi i fushatave zgjedhore, caktimi i administratorëve në komisionet zgjedhor etj. Gjithashtu në letër, kryetarëve të partive u kërkohet të japin përgjigje brenda muajit shkurt nëse do të zgjerohet votimi elektronik.
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore është në pikëpyetje, për shkak të mospajtimeve mes opozitës dhe mazhorancës. Opozita kë kërkuar ndryshimin e përbërjes së komisionit, kërkesë që është refuzuar nga mazhoranca, gjë që ka sjellë përplasje dhe tensione në Kuvend.
Letra u është dërguar 9 kryetarëve të Partive në vend, PS, PD, PL, PSD, PAA, LZHK, PR, PBDNJ e PDIU. Ajo që vihet re është mungesa e emrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, e cila konfirmon se nuk përfaqëson ligjërisht asnjë forcë politike.
Letra i drejtohet:
Z. Edi Rama – Kryetar, Partia Socialiste e Shqipërisë
Z. Lulzim Basha – Kryetar, Partia Demokratike e Shqipërisë
Z. Ilir Meta – Kryetar, Partia e Lirisë
Z. Tom Doshi – Kryetar, Partia Social Demokrate
Z. Agron Duka – Kryetar, Partia Agrare Ambientaliste
Z. Dashamir Shehi- Kryetar, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar
Z. Fatmir Mediu- Kryetar, Partia Republikane Shqiptare
Z. Shpëtim Idrizi- Kryetar, Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet
Z. Vangjel Dule- Kryetar, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut
Letra e plotë:
Dijeni:Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore.
Lënda: Mbi disa çështje të përgatitjes dhe administrimit të zgjedhjeve, si dhe të Kodit Zgjedhor.
Të nderuar,
Duke qënë se jemi fare pak më shumë se një vit larg periudhës kur pritshmërisht do të zhvillohen zgjedhjet e rradhës për Kuvendin e Shqipërisë, në përmbushje të përgjegjësisë institucionale e ligjore si Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve, çmoj të sjell në vëmendjen Tuaj si drejtues të partive parlamentare, sa vijon:
(1) Me vendim të Gjykatës Kushtetuese nr.28, datë 30.06.2021 është vendosur: “Shfuqizimi i pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, si të papajtueshme me Kushtetutën”.
Shfuqizimi i kësaj pike të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, krijon një boshllëk në rregullin për shpërndarjen e mandatëve të deputetit të fituara nga një parti, apo koalicion partish pjesëmarrëse në zgjedhje.
Në këtë rrethanë çmoj se Kuvendi i Shqipërisë duhet të vlerësojë mbi nevojën për plotësimin e boshllëkut ligjor të krijuar nga vendimi i mësipërm i Gjykatës Kushtetuese.
(2) Me vendim nr.38, datë 09.12.2022 Gjykata Kushtetuese ka vendosur: “Konstatimin e cënimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor. Detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti”.
Sipas kuptimit nga KQZ të këtij urdhërimi të Gjykatës Kushtetuese, votimi nga jashtë nuk do të mund të realizohet nëse Kuvendi i Shqipërisë nuk do të plotësojë boshllëqet në Kodin Zgjedhor në lidhje me këtë votim, të evidentuara nga Gjykata Kushtetuese.
Sjellim në vëmendje se përgatitja për zhvillimin për herë të parë të votimit nga jashtë kërkon kohë, e cila minimalisht nuk mund të jetë më pak se një vit.
(3) Administrimi i zgjedhjeve në nivelet e dyta dhe të treta nga administratorë zgjedhor të caktuar, apo të përzgjedhur vetëm nga partitë politike, ka cënuar standardin teknik të përgatitjes dhe zhvillimit të proceseve zgjedhore, si dhe besimin në to.
ODIHR, por edhe vëzhgues vendas kanë rekomanduar ndryshimin e përbërjes vetëm partiake të komisioneve zgjedhore në këto nivele.
KQZ çmon se konsiderimi pozitiv i këtij rekomandimi duke zhveshur partitë, të paktën pjesërisht, nga e drejta absolute për të caktuar administratorët zgjedhorë në nivelet e dyta dhe të treta të administrimit, do të ndihmonte në krijimin e një trupe administratorësh profesionistë, të mirëtrajnuar dhe me integritet.
(4) Standardi i zgjedhjeve është i lidhur drejtpërsëdrejti me rregullat për fushatën zgjedhore dhe financimin e tyre.
Në përputhje me gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të vëzhguesve të zgjedhjeve, atyre të ODIHR dhe vendas, KQZ sjell në vëmendjen Tuaj se duhet të përmirësohen rregullat aktuale të financimit të fushatave zgjedhore dhe të partive politike, si dhe të miratohen rregulla në lidhje me:
a) zhvillimin e fushatës në median online;
b) zhvillimin e fushatës në internet dhe në rrjete sociale;
c) të ashtuquajturin “financimi i palëve të treta” dhe zhvillimin e fushatës nga këto subjekte;
(5) Sjellja dhe veprimet e institucioneve publike dhe e zyrtarëve të tillë në fushatë, sikurse vlerësohet edhe në raportet e vëzhguesve, janë me ndikim në procesin zgjedhor. Në përputhje me gjetjet dhe rekomandimet e këtyre raporteve KQZ çmon se ka nevojë për përmirësime në kuadrin ligjor zgjedhor aktual në lidhje me këtë aspekt, duke:
a) përkufizuar qartë dallimin midis një veprimtarie publike institucionale nga ajo zgjedhore;
b) përcaktuar kategoritë e veprimtarive, apo akteve që institucioneve publike që u ndalohen respektivisht të kryejnë dhe të miratojnë gjatë periudhës parazgjedhore dhe/ose zgjedhore;
c)përcaktuar qartë periudhën e ndalimeve, etj.
d)përcaktuar kategoritë e funksionarëve publik për të cilët mund të ketë ndalime në zhvillimin, apo pjesëmarrjen në veprimtari publike të caktuara
(6) Në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill 2021, për herë të parë në një proces zgjedhor u përdorën pajisje elektronike të votimit dhe të numërimit të votave. Në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të 14 maj 2023, votimi dhe numërimi elektronik u përdor në tri njësi zgjedhore (bashki).
Bazuar në eksperiencën e përftuar nga përdorimi i votimit elektronik deri tani, KQZ ka rekomanduar zgjerimin e këtij votimi vetëm në disa njësi zgjedhore (qarqe) për zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë.
Nëse Ju e mbështesni këtë rekomandim, si dhe nëse ekzistojnë fondet publike për realizimin e këtij votimi në njësitë zgjedhore përkatëse, këto konfirmime duhen t’i bëhen KQZ-së jo më vonë se fundi i muajit Shkurt 2024.
(7) Zbatimi në praktikë i disa dispozitave të Kodit Zgjedhor, si dhe në tërësi përgatitja dhe administrimi i proceseve zgjedhore kanë treguar se është e nevojshme të rikonsiderohen rregullat mbi:
a)ushtrimin e të drejtës së votës për një kategori personash me aftësi të kufizuara, veçanërisht për ata të cilët nuk kanë mundësi të shkojnë në qendrën e votimit;
b) përgatitjen e listës së zgjedhësve, si dhe organizimin e qendrave të votimit;
c)kushtet, kriteret dhe afatet e regjistrimit të një partie politike si subjekt zgjedhor;
d) procedurat, kushtet dhe afatet e regjistrimit të kandidatëve për organet e qeverisjes vendore dhe atyre për Kuvendin;
e) kushtet për ndalimin për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur;
f) pasqyrimin e fushatës në radio dhe televizione, publik dhe privat;
g) procedurat dhe afatet e numërimit të votave dhe të nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve;
h) procedura dhe afati për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvend dhe për organet e qeverisjes vendore;
i) procedura, afatet dhe organi, apo organet kompetente të shqyrtimit të ankimeve zgjedhore;
j) procedura dhe afati për regjistrimin e vëzhguesve partiak dhe atyre jopartiak;
k) të drejtat e vëzhguesve partiak dhe atyre jopartiak;
l) financimin e procesit zgjedhor;
m) sanksionet administrative për shkelje të legjislacionit në fushën e zgjedhjeve;
n) mbi personelin që mund të angazhohet në aspekte të ndryshme të administrimit të procesit zgjedhor.
Të nderuar,
Sikurse ju e dini, është me rëndësi që të gjitha ndryshimet e mundshme të legjislacionit zgjedhor dhe atij tjetër të lidhur me zgjedhjet, duhet të realizohen jo më vonë se një vit para datës kur mund të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë. Është me rëndësi gjithashtu që brenda këtij afati të bëhen me dije për KQZ qëndrimet Tuaja edhe për çështjet e tjera të cituara sa më sipër.
Besoj se eksperienca e KQZ, por edhe aktorëve të tjerë jopolitik të lidhur me proceset zgjedhore në vend, do të merret në vlerësim gjatë procesit tuaj vendimmarrës, si për reformën zgjedhore, ashtu edhe për çështjet e tjera të lidhura me të.
Duke Ju falenderuar për mirëkuptimin,
Me respekt,
Ilirjan CelibashiKomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve