Rrëzimi i helikopterit që vrau presidentin iranian Ebrahim Raisi majin e kaluar, së bashku me zyrtarë të tjerë, iu atribuua kushteve të këqija të motit dhe ngarkesave të tepërta që e vështirësuan manovrimin e helikopterit.
Kjo u raportua nga agjencia e lajmeve Fars të mërkurën, duke cituar një burim sigurie të informuar për rezultatin e hetimit.
“Ka përfunduar hetimi për rrëzimin e helikopterit të Raisit. Konsiderohet absolutisht e sigurt se ajo që ndodhi ishte një aksident”, tha burimi për Fars, duke kërkuar të mos përmendet emri.
Helikopteri u rrëzua në një shpat mali mes kushteve të rrezikshme të motit (mjegull dhe shi), thuhet në raport, duke vënë në dukje se ngarkesa e tepërt e bëri të vështirë manovrimin. Sipas asaj që i njëjti burim tregon për Fars, nga hetimi ka rezultuar madje se në bordin e helikopterit ndodheshin dy persona më shumë se numri i parashikuar nga protokolli i sigurisë.
Ebrahim Raishi, i parë si një lider i linjës së ashpër dhe pasardhës i mundshëm i liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, dhe Ministri i Jashtëm Husein Amirabdollahian ishin në mesin e tetë të vrarëve në përplasjen, pranë kufirit me Azerbajxhanin.
Aksidenti ka ndodhur më 19 maj dhe viktimat janë gjetur të nesërmen.





