Një numër i lartë ngjarjesh të rënda, deri në vetëvrasje, janë shkaktuar nga bullizmi në rrjetet sociale, kryesisht në platformën Tik-Tok e përdorur masivisht në vendin tonë.
Ngjarja e fundit dhe një ndër më tronditëset ishte vetëvrasja e Sibela Abedinit, pasi i shpërndanë fotografi intime në këtë rrjet social.
Këto shqetësime kanë qenë edhe temat e diskutimit mes kryeministrit Edi Rama dhe drejtorit të Përgjithshëm të kompanisë në zyrat e TikTok në Mynih, Theo Bertram.
Rama thotë se është njohur me masat që TikTok po merr për modelimin e mesazheve në gjuhën shqipe.
“Mynih – Në zyrat e Tik Tok me zv. Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë Theo Bertram, ku diskutuam me mirëkuptim të plotë për ngjarjet e fundit në Shqipëri dhe nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online, si edhe u njohëm me masat që po merren nga kompania për të rritur nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe.
Ishte kënaqësi informimi mbi nivelin e lartë të vetëdijes së kolosit social Tik Tok, për rreziqet që i kanosen rrjeteve sociale dhe të investimeve të kompanisë në përballimin dhe shmangien e tyre”, shkruan Rama në rrjetet sociale.





