Zv.presidentja e Partia e Lirisë, Erisa Xhixho, ripërsëriti të dielën shqetësimet mbi ndalimin dhe trajtimin e Ilir Metës në burg, si dhe akuzoi qeverinë Rama për përdorimin politik të sistemit të drejtësisë në vend.
“Raporti i parë, i publikuar në gusht, dokumenton përdorimin e forcës së papërligjur gjatë ndalimit të Metës, duke përfshirë angazhimin e forcave speciale pa shenja identifikuese dhe pa dokumentacion të rregullt procedurial. Raporti konstaton se Meta nuk është informuar për të drejtat e tij, nuk i është komunikuar vendimi gjyqësor dhe nuk i është garantuar kontakti me avokatin, duke e cilësuar procedurën si trajtim degradues sipas standardeve të Gjykatës Europiane e të Drejtave të Njeriut.Raporti i dytë, i publikuar në nëntor 2025, sipas Partisë së Lirisë, konfirmon kufizime të tepruara ndaj Metës gjatë paraburgimit, përfshirë kufizimin e takimeve familjare, ndalimin e vizitave të deputetëve dhe përfaqësuesve europianë, si dhe pengimin e kontakteve me median dhe drejtuesit e partisë”, thuhet në reagimin e Xhixhos.
Sipas saj, në vlerësimin e Avokatit të Popullit, këto masa janë “praktika të një shteti represiv” dhe bien ndesh me Konventën Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Në emër të Partisë së Lirisë, Xhixho kërkoi “zbatimin e menjëhershëm të rekomandimeve të Avokatit të Popullit, fundin e izolimit politik të Metës dhe respektimin e plotë të të drejtave themelore të njeriut, duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për përdorimin e drejtësisë si instrument politik.”
Ilir Meta akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në bashkëpunim, së bashku me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, dhe 3 të tjerë. Ai mbahet në burg prej 21 tetorit 2024.





