Dosja Partizani! Rama dhe Balla thirren nga GJKKO si dëshmitar te gjyqi i Berishës

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha për të thirrur si dëshmitar kryeministrin Edi Rama në cilësinë e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Gjykata po ashtu ka pranuar të marrë në shqyrtim të gjitha provat shkresore të paraqitura nga SPAK si dhe provat shkresore të kërkuara nga avokatët mbrojtës të të pandehurve.

Mbrojtja e Berishës dhe e të pandehurve të tjerë në aferën ‘Partizani’ ka pretenduar se ishte Rama personi që përpiloi bazën ligjore për ndryshimin e destinacionit të truallit nga klub sportiv në shesh ndërtimi. Megjithatë në listën e dëshmitarëve të thirrur nga SPAK nuk është vetëm Rama.

I pari që do të dëshmojë në seancën e ardhshme do të jetë kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. Ai pritet të japë dëshminë e tij në cilësinë e personit që ka paraqitur kallëzim në lidhje me çështjen. Po ashtu, SPAK ka kërkuar që si dëshmitar të pyetet edhe biznesmeni Paro Laçi, i cili është përfshirë në listën e personave që do të thirren gjatë shqyrtimit gjyqësor. Në të njëjtën listë dëshmitarësh janë parashikuar gjithashtu edhe Albert Xhani dhe Isa Tare.

Lajme të tjera |  Berisha e Balla "bien dakord" për Zvërnecin, socialisti iu kërkon llogari deputetëve të tjerë të PD: S'po ju marrim vesh

Në dalje nga ambjentet e SPAK më 6 prill, Berisha deklaroi se nëse Rama paraqitet si dëshmitar në seancë, kryedemokrati do të shkojë të ballafaqohet, madje kërkoi të jetë me kamera.

Në çështjen “Partizani”, Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, pasi SPAK pretendon se gjatë periudhës kur ishte kryeministër, ai favorizoi dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin në përfitimin e pronës, duke i hapur rrugë përfitimeve të parregullta në vlerë prej 5.4 milionë eurosh nga një biznes ndërtimi. Përveç Berishës dhe Malltezit, të pandehur në këtë dosje janë edhe ortaku i Malltezit, Xhimi Begeja, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe financierja Andia Pustina.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us