Deputeti britanik Andrew Rosindell ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit shqiptar Edi Rama lidhur me protestat në Shqipëri, duke theksuar se çdo politikan ka të drejtë të shprehë opinionet e tij për zhvillimet në vende të tjera.
Rosindell është shprehur se gjatë një vizite në Tiranë vitin e kaluar ka zhvilluar biseda me shumë të rinj shqiptarë, të cilët, sipas tij, i kishin shprehur dëshirën për t’u larguar nga vendi. Ai shtoi se një eventuale anëtarësim i Shqipërisë në zonën Shengen mund ta lehtësojë më tej këtë lëvizje.
Deputeti britanik solli gjithashtu në vëmendje se në vitin 2022 shtetasit shqiptarë përbënin grupin më të madh të emigrantëve që mbërritën ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar me gomone të vogla, duke ngritur pyetjen mbi arsyet që shtyjnë të rinjtë shqiptarë të largohen nga vendi i tyre.
Sipas tij, debati kryesor duhet të fokusohet te faktorët që nxisin emigrimin e të rinjve shqiptarë, dhe jo te përplasjet politike mes liderëve.
Ai shtoi se, ndërsa kryeministri shqiptar është i lirë të komentojë për Britaninë, edhe ai vetë ka të drejtë të shprehë opinionin e tij për Shqipërinë.
Kjo, duke iu referuar disa deklaratave të Ramës muaj më parë, që shprehej se: “Britania e la Evropën sepse donte më pak anije dhe ka më shumë anije. E la Evropën sepse donte më shumë investime. Ka më pak investime”,
Postimi i deputetit britanik
“Kryeministri Rama është i lirë të komentojë për Britaninë, ashtu siç jam i lirë të komentoj për Shqipërinë. Vitin e kaluar fola me shumë të rinj shqiptarë në Tiranë, të cilët më thanë se donin të largoheshin nga vendi, gjë që do të bëhet edhe më e mundur me hyrjen e Shqipërisë në Shengen.
Në vitin 2022, shtetasit shqiptarë ishin grupi më i madh që mbërriti ilegalisht me anije të vogla në Mbretërinë e Bashkuar.
Pyetja e vërtetë është pse kaq shumë të rinj shqiptarë ndienin se duhej të largoheshin nga vendi i tyre në radhë të parë.
Do të marr leksione mbi sovranitetin nga populli britanik, jo nga një kryeministër i huaj. Brexit kishte të bënte me vetëqeverisjen demokratike dhe ky parim mbetet po aq i rëndësishëm sot sa kurrë më parë”, shkruan deputeti britanik.





