Revista gjermane Der Spiegel i ka kushtuar një reportazh të gjatë protestave që prej më shumë se një muaji zhvillohen në Shqipëri, duke argumentuar se ato kanë kaluar kufijtë e kundërshtimit ndaj projektit të investimit të Jared Kushner në Zvërnec dhe janë shndërruar në një revoltë më të gjerë kundër mënyrës së qeverisjes së vendit.
Sipas reportazhit, zemërimi fillestar u nxit nga projekti për ndërtimin e një resorti luksoz në zonën e mbrojtur të Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit, ku një nga investitorët është Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Protestat morën hov pasi një video ku një aktivist mjedisor tërhiqej me forcë nga roja private u bë virale në rrjetet sociale.
Megjithatë, revista vëren se në rrugët e Tiranës protestuesit nuk kanë në shënjestër vetëm projektin apo investitorët e huaj. Sloganet drejtohen njëkohësisht kundër kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës Sali Berisha, të cilët shumë protestues i konsiderojnë përgjegjës për korrupsionin, kapjen e shtetit dhe mungesën e alternativave politike.
Në reportazh citohet edhe reagimi i kryeministrit Rama, i cili ka hedhur poshtë akuzat ndaj qeverisë dhe ka ironizuar protestuesit, ndërsa përmendet edhe përdorimi i simbolit të flamingos nga kryeministri në rrjetet sociale, si kundërpërgjigje ndaj lëvizjes qytetare.
Der Spiegel i kushton vëmendje edhe perceptimit të protestuesve se zhvillimi ekonomik i viteve të fundit ka favorizuar një elitë të vogël politike dhe ekonomike. Në intervistat me pjesëmarrësit në protesta, korrupsioni përmendet si arsyeja kryesore e mobilizimit, ndërsa projekti i Kushner-it shihet si “shkëndija” që nxori në sipërfaqe pakënaqësi të akumuluara prej vitesh.
Revista përshkruan protestat si një lëvizje pa një drejtim të vetëm politik, ku marrin pjesë të rinj, pensionistë, aktivistë mjedisorë, përfaqësues të diasporës dhe mbështetës të partive të vogla, të bashkuar nga kërkesa për më shumë transparencë, luftë kundër korrupsionit dhe ndryshim të sistemit politik.
Në fund të analizës, analisti shqiptar Lutfi Dervishi shprehet se energjia e protestave është më e madhja që vendi ka përjetuar që nga viti 1991, duke shtuar se ndryshimet e para janë tashmë të dukshme në debatin publik, edhe pse mbetet e paqartë nëse kjo lëvizje do të prodhojë pasoja politike afatgjata.





