Eurodeputetja italiane Ilaria Salis deklaroi se pjesëmarrja e saj në protestën e zhvilluar në Tiranë kundër projektit të propozuar për zonën e Sazanit dhe Nartës kishte si qëllim shprehjen e mbështetjes për kauzën e mbrojtjes së mjedisit dhe demokracisë.
Salis tha për A2, se protesta, sipas saj, nuk ishte vetëm një lëvizje ambientaliste, por edhe një mobilizim qytetar për demokracinë dhe sovranitetin.
“Erdha në Tiranë për të mbështetur popullin shqiptar, sepse kjo është një protestë për mjedisin, por edhe për demokracinë dhe sovranitetin e popullit.
Mesazhi i protestuesve është se Shqipëria nuk është në shitje dhe askush nuk mund të vijë nga jashtë për të blerë territor të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Salis.
“Mendojmë se ata që qëndrojnë pas këtij projekti në Lagunën e Nartës, në Zvërnec, janë të njëjtët që në të kaluarën kanë bërë invazione në shtete të ndryshme.
Ne e kundërshtojmë këtë logjikë imperialiste. Jemi kundër këtyre metodave të zhvillimit“, tha Salis.





