-Është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare aktori dhe humoristi i njohur Todi Llupi, ikona e Estradës së Fierit dhe një prej emrave më të spikatur të humorit shqiptar.
Ai u bë pjesë e Estradës së Fierit në vitin 1971 dhe interpretoi gjithashtu në disa filma artistikë, ndërsa publiku do ta kujtojë gjithmonë për rolet që e bënë një ikonë të humorit shqiptar. Në vitin 1989 u nderua me titullin “Artist i Merituar”, si vlerësim për kontributin e tij të çmuar në art dhe kulturë.
Llupi ka realizuar shumë role në komedi të plota apo me një akt, në skeçe, parodi, kuplete, monologë, pantomime, dialogë etj. Ai njohrt për rolet në filmat ‘Ardhur nga ëndrrat’, ‘Pesha e kohë’s, ‘Amnistia’ dhe ‘Para perëndimit të diellit’.
Llupi la një trashëgimi të vyer në skenën shqiptare. Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për Fierin dhe për mbarë artin shqiptar.




