Shtrenjtohet nafta në bursa/ Rritet me 4 përqind, arrin në 94 dollarë për fuçi

Nafta në bursa nuk ndal rritjen. Të mërkurën çmimet e naftës u shtrenjtuan me 4% duke arritur në mbi 94 dollarë për fuçi, të nxitura jo vetëm nga përshkallëzimi i sulmeve por dhe komentet e sekretarit të Shteteve të Bashkuara Marco Rubio.

Ky i fundit akuzoi Iranin se nuk po respekton marrëveshjen për Ngushticën e Hormuzit, ndërsa përsëriti se Uashingtoni mbetet i përkushtuar ndaj diplomacisë.

“Nëse krijojmë një precedent në Lindjen e Mesme, ku një shtet mund të vendosë se do të kontrollojë një rrugë ujore ndërkombëtare, të vendosë një taksë dhe nëse nuk i paguani, t’i hedhë në erë anijet tuaja, ne kemi krijuar një precedent shumë të rrezikshëm, i cili do të përsëritet në pjesë të tjera të botës, përfshirë edhe këtë rajon”, paralajmëroi Rubio.

Lajme të tjera |  Shënohet viktima e dytë nga stuhia, mbytet peshkatari në Ksamil, gjendet varka e fundosur

Analistë të tregut thonë se duke parë situatën aktuale gjasat që çmimet e naftës të lehtësohen më tej janë të pakta. E ndërsa çmimet e arit të zi vazhdojnë të shtrenjtohen, bastet e investitorëve për politika më agresive nga Rezerva Federale u rritën.

Sipas tyre Banka Amerikane pritet të ndërhyjë këtë muaj në politikën monetare me rritjen e normave të interesit si një mënyrë për të mbajtur inflacionin nën kontroll.

Teksa shpresat për një armëpushim së afërmi janë zbehur, analistët thonë se veç çmimeve në rritje rreziqet janë shtuar edhe për furnizimin me energji, çka mund të sillte një situatë të ngjashme me atë që ndodhi në nisje të konfliktit.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us