Dinamo do të luajë të enjten, ndeshjen e kthimit përballë Aluminij në stadiumin “Elbasan Arena”, të vlefshëm për turin e dytë të kualifikueseve të Conference League. Pasi sfida e parë përfundoi në barazimin 1-1, gjithçka mbetet për t’u caktuar në tokën shqiptare, ku kryeqytetasit do të japin maksimumin e tyre për t’u kualifikuar për të turin pasardhës.
Pak ditë para këtij dueli tejet të rëndësishëm, në një intervistë të dhënë për “Newsport.al”, kapiteni i skuadrës Bruno Dita ka folur për ndeshjene zhvilluar në Slloveni, përgatitjet për sfidën e kthimit në Elbasan, ndërhyrjet në merkato që ka bërë Dinamo si dhe ambiciet e skuadrës për sezonin e ri në Superiore.
Në fund, Dita jep edhe një mesazh drejtuar tifozëve për përballjen me rivalin slloven.
Ndeshja e parë u mbyll në barazimi 1-1. A ka mbetur ndjesia se mund të tentohej diçka më shumë?
Normal që mund të tentohej më shumë, por duke parë lojën që zhvilluam jemi besimplotë që do jemi ne që kualifikohemi.
Çfarë nuk shkoi siç duhet atë mbrëmje? Si e analizuat së bashku me grupin?
Kemi pasur lojën në kontroll çdo moment, por duhet diçka më tepër dhe këtë shpresojmë ta realizojmë në ndeshjen e kthimit.
Të enjten ndeshjen e kthimit në Shqipëri. Sa ndihmon fakti që jeni pritës këtë herë dhe çfarë duhet të bëjë Dinamo për të siguruar kualifikimin?
Do japim maksimumin, gjithçka nga vetja që të kalojmë dhe të vazhdojmë rrugëtimin tonë në Europë.
Ilir Daja njihet për eksperiencën e tij në të tilla nivele, kujtojmë çfarë bëri me Skënderbeun dhe Ballkanin. Si po e përgatit ai këtë përballje?
Qetë dhe në mënyrën e duhur mendoj.
Afrimet në merkato, sa e kanë rritur cilësinë e Dinamos në këto momente?
E kanë rritur goxha cilësinë dhe kanë shtuar konkurrencën në ekip.
Sezoni i ri në Superiore po afron. Na tregoni pak për objektivat me të cilat po niseni këtë vit.
Dinamo me në krye presidentin Bardhi çdo vit futet për kampion dhe besoj këtë vit do jemi në luftë për titullin kampion.
Si kapiten i skuadrës, cili është mesazi juaj i fundit drejtuar tifozëve para sfidës me Aluminij?
Të vijnë sa më shumë në numër, të na mbështesin dhe të festojmë së bashku në fund të ndeshjes./ Ermal SPAHIU/





