Agron Shehaj kërkon të relativizojë veprimin e tij pas përjashtimit me 60 ditë nga Kuvendi, për marrjen e dokumentit sekret të marrëveshjes së kredisë me SHBA dhe largimit me të nga ambientet e Parlamentit.
Në një intervistë për News24, deputeti dhe kreu i Partisë Mundësia u përpoq ta paraqiste situatën jo si një shkelje të rregullave parlamentare, por si një përballje për të drejtat e deputetëve. Shehaj deklaroi se dokumenti nuk ka dalë jashtë Kuvendit dhe këmbënguli se nuk ka kryer asnjë krim.
Sipas tij, marrja e dokumentit ishte një e drejtë e tij si deputet, duke e zhvendosur debatin nga përgjegjësia për veprimin e kryer tek pretendimet për kufizimin e opozitës në Parlament.
“Ne jemi në luftë të përditshme, në luftë me të drejtën e fjalës, në luftë edhe për të hyrë në Kuvend. Të marrësh apo edhe të rrëmbesh një të drejtë është krim? Nëse po, unë kam kryer një krim dhe do ta bëj”, u shpreh Shehaj.





