Dosja “Partizani”, sot dëshmon në GJKKO ish presidenti Bamir Topi

Në gjyqin e aferës “Partizani”, me të pandehur për korrupsion Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Malltezi, i akuzuar dhe për pastrim parash, këtë të hënë janë thirrur për të dëshmuar emra të tjerë të rëndësishëm të ish qeverisës së Berishës në vitet 2007-2008 kur edhe privatizimi i ish kompleksit ishte në një moment vendimtar.,

Para togave të zeza të GJKKO janë thirrur këtë seancë ish-presidenti Bamir Topi, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ish-drejtori i klubit Isa Tare, Urim Muja, si edhe Paro Laçi.

Por teksa burime bëjnë me dije se ish ministri Mediu ndodhet jashtë vendit dhe mund të mos paraqitet sot, emri më i rëndësishëm është ai i Topit. Në dosjen e SPAK ish presidenti në vitet 2007-2012 përmendet në lidhje me veprimet që u kryen për nxjerrjen nga “Plani i Përhapjes” së Forcave të Armatosur të ish klubit të futbollit ‘Partizani’.

SPAK evidenton një shkresë të 9 gushtit 2006 ku në listën e pronave për Klubin e Futbollit Partizani, ishte përcaktuar që të ishte pjesë e planit të Përhapjes.

Por SPAK thotë se Fatmir Mediu bën një relacion më 2 maj 2007 ku prona nuk paraqitej më në ‘Planin e përhapjes’ dhe më 17 gusht 2007 shkresa i përcillet Presidencës së Republikës.

Lajme të tjera |  Milot-Balldre drejt finalizimit! 4 kompani do të ndërtojnë 17 km rrugë dhe tunel 850 metra me vlerë 364.7 mln euro

Baimir Topi u zgjodh Kryetar i Shtetit në 24 Korrik 2007 me votat e Partisë Demokratike dhe më 29 Gusht, vetëm një muaj pas marrjes së detyrës, ai nënshkroi “Planin e përhapjes” të ri për vitet 2007-2010 nga i cili Kompleksi sportiv Partizani u hoq.

Pjesa në dosjen e SPAK ku flitet për Planin e Shpërndarjes
Pengesa e parë procedurale më në fund është zgjidhur, dhe procesi i privatizimit mund të rifillojë me shpejtësinë maksimale për të kompensuar kohën e humbur. Në fakt, më 19 shtator 2007 (dmth vetëm 21 ditë pas nënshkrimit të Bamir Topit), Ministri i Ekonomisë Genc Ruli me shkrese 50/1 miratoi kërkesën e privatizimit dërguar nga Fatmir Mediu dy vjet më parë, si ministër i Mbrojtjes. Sidoqoftë, Fatmir Mediu nuk do ta përfundojë procesin sepse disa muaj më vonë ai do të zhytet në skandalin e Gërdecit, edhe një herë për t’i shërbyer familjes Berisha dhe me 26 vdekjet mbi supe, këtë herë do të detyrohet të japë dorëheqjen.

Lajme të tjera |  A janë shqiptarët nga Kosova bukuria e turizmit shqiptar?

Për të gjitha këto Bamir Topi pritet të pyetet sot në GJKKO, në një kohë kur nuk është pyetur asnjëherë në SPAK për këtë çështje. Ndërkohë që për Mediun është ende e paqartë se kur do të paraqitet.

Për Isa Taren, i cili deri më tani nuk është paraqitur për të dhënë dëshmi pasi familjarët pretendojnë se vuan nga demenca, GJKKO vendosi të ripërsërisë thirrjen pasi SPAK pretendoi se “nuk ka një akt që vërteton se Isa Tares i është hequr e drejta e për të vepruar (dmth i paaftë për shkak te sëmundjes), por është thjesht i biri që e pretendon. Kështu që duhet përsëritur thirrja”.

Paro Laçi nga ana tjetër që ka bërë akuza të forta ndaj familjes Berisha emri i tij ka qenë në disa seanca në listë për t’u pyetur por nuk është paraqitur.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us