Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot, 18 korrik, se kjo forcë politike ka përfunduar procesin e riorganizimit të forumeve të saj, duke e cilësuar atë si “procesin më të thellë të ripërtëritjes së PD që nga themelimi”.
Në komunikimin e tij virtual të fundjavës, Berisha tha se ndryshimet në strukturat drejtuese kanë sjellë një përfaqësim më të madh të të rinjve dhe grave.
“Ky proces u zhvillua në moton e ripërtëritjes së PD, jo vetëm në kuptimin e numrave, por edhe të proporcioneve deficitare në këtë parti”, u shpreh ai.
Sipas tij, në Këshillin Kombëtar të PD, 60% e përbëjnë të rinjtë dhe gratë, ndërsa dy të tretat e drejtuesve të rinj të partisë zgjidhen për herë të parë. Berisha bëri të ditur se edhe në strukturat drejtuese ka pasur ndryshime të mëdha, duke theksuar se nga 14 sekretarë të partisë, vetëm 3 janë të rizgjedhur.
“Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD pas themelimit të saj”, theksoi kreu i PD-së.
Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij, Berisha ia kushtoi edhe diasporës. Ai tha se për herë të parë është institucionalizuar roli i saj brenda partisë. “Hapa të parë të rëndësishëm janë shënuar. Një nënkryetare partie dhe një sekretar për diasporën janë zgjedhur”, deklaroi më tej.
Foli edhe për protestën e zhvilluar në Tiranë, duke shprehur sërish mbështetjen e tij. Berisha u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës, duke thënë se “kryengritja paqësore e rinisë dhe qytetarëve shqiptarë” duhet të vijojë.





