Egnatia është mundur në ndeshjen e saj të parë në Ligën e Kampioneve, teksa ka regjistruar humbje në transfertën ndaj Borac Banja Luka në Bosnjë. Por ka qenë një humbje shumë e çuditshme e përjetuar mes tensionit të thirrjeve antishqiptare dhe dy kartonëve të kuq që u dhanë për lojtarët rrogozhinas.
Që në fillim tifozeria vendase shpalosi parulla me shkrimin “Kosova është zemra e Serbisë”: dhe nuk kurseu thirrjet nacionaliste. Por në fushën e lojës Egnatia nuk e ndjeu këtë trysni, duke menduar si të mbante të paprekur portën e saj.
Situata u nxeh në pjesën e dytë, sidomos pasi Zejnullai u ndëshkua me karton të kuq për një faull pas pamjeve që gjyqtari pa me VAR. Tifozët vendas nisën të shtonin thirrjet antishqiptare në stadium dhe kjo solli ndërprerjen e ndeshjes, e cila rifilloi pas 10 minutash vetëm me “ultimatumin” se do kishte braktisje të saj. (VIDEO)





