Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbajti një nga fjalimet më të rëndësishme të festimeve të 4 Korrikut, me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-ve, përballë Lincoln Memorial në Uashington.
Fjalimi nuk ishte shumë i gjatë, rreth 40 minuta, ndryshe nga parashikimi i Trump, por ishte (si të tjerët për këtë 250-vjetor) një tubim tipik i Trump.
Fjalimi, i cili u shty për rreth dy orë për shkak të kushteve të këqija atmosferike dhe alarmit për mot të paqëndrueshëm, u zhvillua përpara mijëra qytetarëve të pranishëm, ndërsa Trump u shoqërua nga bashkëshortja e tij, Melania.
Në fillim të fjalës së tij, presidenti falënderoi qytetarët që nuk u larguan pavarësisht motit jo të mirë, duke i cilësuar ata si njerëz të veçantë dhe theksoi se Amerika mbetet një vend i jashtëzakonshëm falë qytetarëve të saj. Ai deklaroi se vendi është sot “më i fortë, më i lirë, më i pasur, më i sigurt dhe më krenar se kurrë më parë”, duke shtuar se kjo vjen për shkak të politikave të administratës së tij.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua politikës së jashtme. Trump pretendoi se Shtetet e Bashkuara kanë goditur rëndë Iranin dhe kanë shkatërruar kapacitetet e tij ushtarake, duke e paraqitur këtë si një sukses të madh në mbrojtjen e interesave amerikane dhe të aleatëve të vendit.
Presidenti i SHBA-ve përdori gjithashtu tone të ashpra kundër komunizmit, duke e cilësuar atë si një “kancer që duhet çrrënjosur”. Sipas tij, komunizmi përbën një kërcënim serioz për lirinë dhe vlerat amerikane. Ai deklaroi se Amerika nuk do të bëhet kurrë një shtet komunist dhe se administrata e tij do të vazhdojë të mbrojë sistemin demokratik dhe ekonominë e tregut të lirë.
Trump foli edhe për të drejtën kushtetuese të qytetarëve amerikanë për të mbajtur armë, duke theksuar se gjatë presidencës së tij Amendamenti i Dytë nuk është cenuar. Ai premtoi se kjo e drejtë do të vazhdojë të mbrohet me vendosmëri, duke e konsideruar atë një nga shtyllat themelore të Kushtetutës amerikane.
Në fjalimin e tij, presidenti vuri theksin edhe te uniteti kombëtar. Ai tha se amerikanët, pavarësisht racës, fesë apo bindjeve të tyre politike, përbëjnë një popull dhe një familje të vetme nën një flamur të përbashkët. Duke cituar Deklaratën e Pavarësisë, Trump deklaroi se të gjithë njerëzit janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit, duke shtuar me ironi se “një komunist nuk do ta thoshte kurrë këtë”, deklaratë që u prit me të qeshura dhe duartrokitje nga publiku.
Një tjetër pikë e rëndësishme ishte njoftimi për planet e tij në lidhje me reformën zgjedhore. Trump tha se synon miratimin e ligjit “Save America Act”, i cili parashikon që çdo votues të paraqesë një dokument identifikimi të vlefshëm dhe provë të shtetësisë amerikane për të votuar. Ai propozoi gjithashtu kufizimin e votimit me postë vetëm për raste të veçanta, si sëmundjet, paaftësia fizike, shërbimi ushtarak ose udhëtimet, duke argumentuar se këto masa do të shmangin manipulimet dhe do të rrisin besimin në procesin zgjedhor.
Fjalimi i Trump ishte një kombinim i mesazheve patriotike, premtimeve politike dhe kritikave të forta ndaj ideologjive, që ai i konsideron kërcënim për Shtetet e Bashkuara. Ai synoi të paraqesë Amerikën si një vend në rritje ekonomike, me siguri të shtuar dhe me një identitet kombëtar të fortë, ndërsa njëkohësisht kërkoi mbështetje për reformat që dëshiron të zbatojë në mandatin e tij./ Corriere della Sera





