Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi një bashkëbisedim me të rinj në kuadër të aktivitetit “RinCamp 2026”, që po mbahet në Jalë, ku u ndal te ndikimi i algoritmeve të rrjeteve sociale, dezinformimi, protestat e fundit në vend dhe debati për projektin në Zvërnec.
Rama u shpreh se algoritmet nuk janë shkaku i protestave, por sipas tij luajnë një rol të rëndësishëm në përhapjen dhe amplifikimin e përmbajtjeve me ngarkesë negative.
Ai theksoi se studime të ndryshme tregojnë se gënjeshtrat, akuzat dhe përmbajtjet skandaloze përhapen më shpejt në rrjetet sociale sesa informacioni i verifikuar.
Sipas kreut të qeverisë, algoritmet veprojnë si një “amplifikator” i zemërimit, pakënaqësisë dhe përmbajtjeve që nxisin skandalin, por nuk janë ato që përcaktojnë arsyet pse qytetarët protestojnë.
Duke iu referuar protestave të fundit, Rama tha se ato kanë shkaqe reale që lidhen me problematikat e përditshme të qytetarëve dhe se këto arsye duhen kuptuar dhe adresuar.
Megjithatë, ai shtoi se dezinformimi, videot e manipuluara dhe lajmet e rreme ndikojnë në rritjen e tensionit publik, duke “i hedhur benzinë” një situate që, sipas tij, nuk krijohet nga algoritmet, por nga njerëzit.
Kryeministri nënvizoi se çdo protestë mbart mesazhe që duhet të analizohen, ndërsa theksoi rëndësinë e dallimit mes motiveve të sinqerta të qytetarëve dhe përpjekjeve për manipulim nga aktorë të tjerë.
Duke folur për projektin në Zvërnec dhe investimin në Sazan, Rama deklaroi se debati publik është ndikuar nga dezinformimi.
Ai mohoi pretendimet se qeveria po shet tokë publike, duke theksuar se shteti shqiptar jo vetëm që nuk ka shitur pronë, por po negocion që të jetë pjesë si pronar në investimin e planifikuar në ishullin e Sazanit.
“Unë nuk kam thënë që algoritmi ishte arsyeja e protestës. Është e padiskutueshme që protesta ka arsye, të cilat lidhen me të përditshmen. Patjetër që ato arsye janë të rëndësishme për t’u kuptuar. Algoritmi ka impakt të jashtëzakonshëm në amplifikimin e zhurmës, negativitetit dhe të gjithë atyre nxitjeve që vijnë në formën e videove të manipuluara, të cilat i japin karburant ose i hedhin benzinë një zjarri që nuk është ndezur nga algoritmi, por nga njerëzit.
Është e padiskutueshme që çdo protestë mbart një mesazh, cilado qoftë arsyeja apo ata që dalin në protestë. Protesta mbart mesazhe dhe patjetër që detyra ime është t’i kuptoj sa më mirë ato. Po ashtu, detyra ime është të kuptoj edhe më shumë se kaq, të kuptoj organizatorët, çfarë ka më shumë sesa ajo që duket dhe të kem një pamje sa më të qartë të të gjithë spektrit të çështjeve apo të forcave të angazhuara në protestë.
Ashtu si algoritmi nuk është organizatori i një proteste, ashtu edhe diçka tjetër që unë e kam vënë në dukje: forcat e përfshira që janë armiqësore apo dashakeqe me Shqipërinë dhe që janë përfshirë fuqishëm, nuk janë as ato organizatorët ose arsyeja themelore pse njerëzit kanë dalë në protestë.
Por të gjitha së bashku duhen kuptuar dhe secili duhet të kuptojë se ku mbaron motivi i sinqertë i protestës, si adresohet ai motiv i sinqertë, cilat janë zgjidhjet për shqetësimet dhe ku fillon manipulimi, pjesa kur ti, si njeri i sinqertë në protestë, kthehesh në një vegël, pa dijeninë tënde, e forcave të tjera.
Ndarja bëhet te pikat ku ty të hapet një rrugë për ta adresuar qëllimin ose nuk të hapet. Është e rëndësishme të ndahet pjesa e shkaqeve dhe problematikave që kërkojnë adresim nga pjesa që kërkon informim.
Siç mund ta keni vënë re, protesta nisi me Zvërnecin dhe sot Zvërneci është harruar. Sepse, besoj unë, shumë shpejt u kuptua që realiteti i fakteve ishte i ndryshëm nga ai që njerëzit kishin perceptuar përmes kanaleve të dezinformimit.
Realiteti i fakteve nuk është që qeveria shiti atdheun, shiti Sazanin apo shiti Zvërnecin. Realiteti është krejt i kundërt. Aty ku qeveria ka përgjegjësi si përfaqësuese e interesit publik dhe administratore e pronës publike, jo vetëm që nuk ka bërë shitje, por edhe tani që flasim, për shkak se qeveria ka pasur një pozicion të qartë në negociata me palën tjetër, që Shqipëria duhet të jetë pjesë si pronare në këtë sipërmarrje, ne nuk kemi ende një marrëveshje”, tha Rama.





