Detaje të reja janë zbardhur nga krimi i rëndë në Roskovec, ku Refit Buzi varu me armë gjahu ish-vjehrrin, Kosta Plaka dhe plagosi ish-vjehrrën, Belere Plakën, për t’u larguar më pas me ish-bashkëshorten e tij. Vëllai i viktimës ka rrëfyer se para krimit, 35-vjeçari kishte shkuar me armë në shtëpinë e familjes Plaka, duke i kërcënuar se do i vriste të gjithë.
Pas krimit autori ka dalë nga dritarja, ndërsa me vete ka marrë edhe ish-të fejuarën e tij. Vëllai i Kosta Plakës, deklaron se çifti kishin 3 vite të fejuar por kishin probleme
“Dëgjuam vetëm zhurmë dhe që bërtisnin brenda. Ne nuk mund të hynim sepse nuk kishim armë. Ai thoshte: ‘Ejani se do t’ju vras të gjithëve’. Policia ka ardhur pas një ore. E mori djali në telefon. Autori ishte i armatosur. Doli nga dritarja, nga pjesa e pasme e shtëpisë, sepse e kishte lënë aty makinën. Mori dhe çupën me vete dhe iku. Vajza qëndronte këtu. Kishin vite të fejuar, por kishin probleme. Ka shkuar 3 herë në polici, është arrestuar. Shkoi në Tiranë para disa muajsh me armë lodër dhe e futën brenda. Tani ishte në arrest shtëpie, kërcënonte gjithmonë. I thoshte vajzës: ‘Ti do të vish tek mua, pa mua ti nuk e bën dot jetën’. Bënte shantazhe. Kjo ishte një vrasje e paramenduar,” tha vëllai i viktimës.





