Konferenca e Kryetarëve ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për mocionin me debat për kërkesat e protestuesve dhe raportin e Parlamentit Europian. Deputetët e opozitës deklaruan se parlamenti e ka detyrim diskutimin për kërkesat e protestuesve dhe raportin e Parlamentit Europian. Pas mbledhjes kreu i grupi parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh se PD nuk e kanë paraqitur kërkesën sipas rregullores duke theksuar se u qëndron fjalëve për ta realizuar.
Balla tha se vetëm një kërkesë kishin sjellë njëjtë si protestuesit, atë për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa 4 kërkesat e tjera Balla tha se ishin hallet e opozitës
Taulant Balla: Kam pyetur opozitën në konferencë kryetarësh, me çfarë mandati keni ardhur ku zëdhënës të protestës. Pastaj ju kam thënë se nuk iu njoh për përfaqësues të protestës. Pranoj gjithkënd, por partinë e Berishës nuk e pranoj dot kurrë si përfaqësues të protestës. U kam vënë në dukje se janë aq të paaftë saqë kanë transformuar edhe kërkesat e protestuesve, ato që janë bërë publike, pavarësisht se nga kush një person me lidhje të ngushta me Iranin. Po ti merrej kërkesat që kishte sjellë opozita, vetëm numri ishte i njëjtë dhe vetëm pika e parë e kërkesës ishte e njëjta. Dorëheqje dhe opozita kishte sjellë nja 4 halle të veta. Unë dhe kolegët e mi, ia kemi vërë të qartë se nuk e njohim si parti përfaqësuese të protestës. Meqë komunikimi bëhet publik dhe meqë kanë partitë radhën e tyre për të folur, ti përgjigjen dhe kësaj çështje, a ka mandat partia e PD qe t’i përfaqësojë?
Debatet në Konferencën e Kryetarëve:
“Keni ardhur këtu me kërkesat e protestuesve, madje dhe i keni deformuar ato. E para unë nuk iu qas e as ju njoh fare për përfaqësues të protestës. Ju jeni humbësit më të mëdhenj të kësaj proteste. E dyta kërkoni mocion me debat për dorëheqjen e qeverisë. Po keni këllqe dhe fundshpinë hajde bëni mocion mosbesimi, mblidhni firmat dhe caktoni kandidatin tuaj për kryeministër”, u shpreh Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS.
“Nëse ju, si mazhorancë, kërkoni të silleni kështu, ne si opozitë nuk do ta lejojmë. Ju nuk mund të silleni normalisht në këtë sallë, kur sheshi përpara saj prej 25 ditësh është i mbushur plot me qytetarë që kërkojnë largimin e qeverisë dhe të kryeministrit, dhe që kanë kërkesa konkrete. Zëri i kësaj proteste ka shkuar deri në Parlamentin Europian dhe shqetësimet e tyre janë bërë pjesë e raporteve të fundit të Parlamentit Europian”, tha Jorida Tabaku.
Ndërsa Bardhi u shpreh se mazhoranca s’flet për protestën sepse ‘përgjon’ qytetarët për t’i sulmuar.
“Njëzet deputetë të Parlamentit Europian flasin për protestën në Shqipëri, ndërsa askush nga ju nuk ka thënë qoftë edhe një fjalë. Por ju nuk keni kohë për këtë, sepse jeni duke përgjuar pas vrimës së çelësit për të sulmuar protestuesit”, tha Bardhi.





