“Po përballen me konkurrencë të padrejtë në rajon”, Berisha prezanton planin e tij për fermerët

Sali Berisha ka zhvilluar këtë të shtunë një takim me fermerë në Cërrik, në kuadër të platformës së Partisë Demokratike “Made in Albania, Zgjidhje për fermerin”, ku ka kritikuar ashpër politikat e qeverisë ndaj sektorit të bujqësisë dhe ka premtuar ndryshime të thella nëse forca e tij politike vjen në pushtet.

Gjatë fjalës së tij, kreu i demokratëve deklaroi se fermerët shqiptarë ndodhen në një situatë të pabarabartë dhe të pafavorshme krahasuar me vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian. Sipas tij, bujqësia në Shqipëri kontribuon rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa merr vetëm 0.19% të buxhetit publik, çka ai e cilësoi si një “pabarazi të thellë dhe të pajustifikueshme”.

Lajme të tjera |  “E çova në shkollë dhe nuk m’u kthye”/ Nëna e Martin Canit mesazh në protestë: Jam me ju për fëmijën tim dhe fëmijët shqiptarë

Ai theksoi gjithashtu se mbështetja reale për fermerët është, sipas tij, rreth 32 milionë euro, pasi pjesa tjetër e fondit shkon për administratë dhe burokraci. Berisha shtoi se fermerët në vendet e rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Malin e Zi, përfitojnë subvencione disa herë më të larta, si dhe çmime më të ulëta për naftën.

Një tjetër pikë e deklaratës së tij ishte kritika ndaj vendimit për heqjen e subvencionit të naftës për fermerët, të cilin ai e quajti të gabuar dhe të dëmshëm për prodhuesit bujqësorë.

Berisha u ndal edhe te nisma rajonale “Ballkani i Hapur”, të cilën e cilësoi si të dëmshme për fermerët shqiptarë. Sipas tij, hapja e tregjeve ka sjellë konkurrencë të padrejtë nga vendet me subvencione më të larta, duke dëmtuar prodhimin vendas.

Lajme të tjera |  Trump: Marrëveshja me Iranin do të nënshkruhet nesër! Ngushtica e Hormuzit do të hapet

“Fermerët shqiptarë janë lënë në një situatë të vështirë dhe të braktisur”, u shpreh ai, duke shtuar se një nga aktet e para të një qeverisjeje të mundshme të PD-së do të ishte anulimi i plotë i marrëveshjeve të “Ballkanit të Hapur”.

Në përfundim të takimit, Berisha theksoi se zhvillimi i zonave rurale ka mbetur pas dore dhe se investimet në fshat janë minimale, duke premtuar një rishikim të plotë të politikave për bujqësinë dhe mbështetje më të madhe për fermerët.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us