Mario Gjata do të dalë lojtar i lirë në tregun e transferimeve, siç u raportua mbrëmë nga “Newsport.al”. Nga momenti në moment pritet edhe zyrtarizimi i këtij largimi nga klubi i Skënderbeut.
Kështu 25-vjeçari kthehet në “okazion” për disa klube në elitën e futbollit shqiptar, pasi vetë karriera e Gjatës premton shumë. Sulmuesi në fjalë ka fituar titullin kampion me Egnatian në sezonin 2023/2024, ndërsa është aktivizuar edhe me ekipe të njohura në vendin tonë.
Një “prodhim” i Apolonisë, Gjata ka luajtur më vonë edhe me ekipin e Dinamos. Gjithashtu, 25-vjeçari është aktivizuar me Teutën, Egnatian dhe Bylisin. Ndërsa tani, është në kërkim të aventurës së re.
Edhe pse në sezonin që lamë pas, në Kategorinë e Parë, Gjata shënoi vetëm dy gola, duket se me “minutat me pikatore”, sulmuesit i ka munguar motivimi. Motivim të cilin, pritet ta ketë gjatë sezonit të ardhshëm, pasi ka treguar cilësitë e tij edhe në të shkuarën.





