Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë. Në mesin e personave zyrtarë që kanë deklaruar pasurinë janë edhe krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca.
Vjosa Osmani
Në të dhënat e Osmanit, vlera e pasurisë së paluajtshme që ka në pronësi të bashkëshortit dhe në pronësi të përbashkët kap shumën e 970 mijë e 760 euro. Osmani ka deklaruar një banesë me sipërfaqe prej 67 metra katrorë, e blerë në vitin 2011 me kursime dhe kredi, e cila e kap vlerën e 59 mijë e 760 euro, e që po atë vit, në të njëjtën formë – me kursime dhe kredi, ka deklaruar se e ka blerë edhe një garazh kolektive me sipërfaqe prej 14 metrash katrorë në vlerë 6 mijë euro, të dyja këto në pronësi të bashkëshortit.
Presidentja e Kosovës ka deklaruar edhe një shtëpi me sipërfaqe prej 150 metra katrorë, për të cilën tha se e kishte ndërtuar në vitin 2004 me kursime dhe kredi, e që vlera e saj është 170 mijë euro, po ashtu në pronësi të bashkëshortit. Më tej Osmani ka bërë të ditur se bashkë me burrin e saj kanë një tokë prej 5.10 ari, e blerë me kursime dhe borxhe në vitin 2016, në vlerë prej 35 mijë euro. Për ta parë pasurinë e plotë të Osmanit klikoni linkun.
Albin Kurti
Tek pasuritë e paluajtshme, Kurti ka deklaruar banesën e bashkëshortes në vlerë prej 400 mijë euro, që thotë ta ketë blerë përmes marrjes së kredisë. Kjo banesë është blerë në vitin 2018. Si para të gatshme, Kurti ka deklaruar 1 mijë e 551 euro të tij, dhe 2 mijë e 500 euro të bashkëshortes.
Tek detyrimet financiare, ka përmendur qiranë në vlerë 250 euro të shtëpisë dhe kredinë në vlerë 270 mijë euro të bashkëshortes. Si të hyra vjetore ka deklaruar pagën vjetore si Kryeministër në vlerë 19 mijë e 43 euro. Për ta parë pasurinë e plotë të Albin Kurtit klikoni linkun.
Glauk Konjufca
Tek pasuritë e paluajtshme, Konjufca ka listuar banesën e tij në vlerë rreth 61 mijë euro, banesën e prindërvë në vlerë 44 mijë euro, banesën tjetër të prindërve në vlerë 92 mijë euro, shtëpunë e prindërvë në vlerë 45 mijë euro dhe tri toka në pronësi të prindërve që bashkë kushtojnë mbi 60 mijë euro, një parking 6 mijë euro si dhe një depo në vlerë 500 euro.
Tek paratë e gatshme, Konjufca ka deklaruar 3 mijë e 510 euro si kursime nga të ardhurat personle dhe 5 mijë e 594 euro, si shumë e akumuluar nga pagat e marra. Konjufca merr pagë vjetore në vlerë 27 mijë e 555 euro si Kryetar i Kuvendit, derisa 3 mijë e 589 euro ka deklaruar se i ka marrë si mëditje për udhëtimet zyrtare jashtë vendit. Për të parë pasurinë e plotë klikoni linkun.