“Protestat nisën për mjedisin, por u kthyen politike!” Siguria në Shqipëri, raporti i DASH: SPAK rol kyç, korrupsioni mbetet shqetësim…

Raporti i fundit i sigurisë për Shqipërinë nga Overseas Security Advisory Council (OSAC), strukturë e Departamentit Amerikan të Shtetit, evidenton përmirësime në disa fusha, por ngre shqetësime për korrupsionin, transparencën institucionale dhe nevojën për reforma të mëtejshme.

Sipas vlerësimit të OSAC, proceset zgjedhore në Shqipëri kanë shënuar përmirësim, me zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 që u zhvilluan përgjithësisht në një atmosferë të qetë.

“Zgjedhjet parlamentare u mbajtën në vitin 2025 dhe dita e zgjedhjeve ishte kryesisht e qetë. Pati raportime të izoluara për parregullsi që përfshinin kandidatët dhe mbështetësit e tyre, megjithëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se raportet nuk do të ndikojnë negativisht në rezultatet e zgjedhjeve.”, thuhet në raport.

Sa i përket institucioneve të sigurisë, raporti vlerëson rolin e SPAK, duke theksuar se ka rritur hetimet dhe ndjekjet penale ndaj rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, duke bashkëpunuar edhe me partnerë ndërkombëtarë.

Sipas raportit, SPAK po ndjek raste komplekse që lidhen me korrupsionin në nivele të larta, krimin e organizuar dhe çështje të tjera të rëndësishme, ndërsa bashkëpunon me institucione ndërkombëtare të zbatimit të ligjit. Megjithatë, dokumenti nënvizon se mbetet një shqetësim fakti që disa zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe individë me interesa të fuqishme biznesi vazhdojnë të kenë mundësi t’i shmangen përgjegjësisë ligjore.

“Pandëshkueshmëria mbetet një problem serioz. Me krijimin e SPAK-ut në vitin 2019, arrestimi dhe ndjekja penale e zyrtarëve që kryejnë abuzime është rritur, megjithatë shumë zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe persona me interesa të fuqishme biznesi janë ende në gjendje t’i shmangen ndjekjes penale. Korrupsioni vazhdon të jetë një problem serioz në qendrat e paraburgimit, veçanërisht në lidhje me aksesin në punë dhe programet speciale të lirimit”, thekson raporti.

Gjithashtu, sipas raportit, Policia ka një prani të dukshme në të gjithë Tiranën dhe qytete të tjera më të mëdha të Shqipërisë, megjithëse reagimi i tyre shpesh vonohet për shkak të burimeve dhe fuqisë punëtore të kufizuar.

Në raport trajtohen edhe protestat politike në Shqipëri, të cilat sipas OSAC janë një fenomen i zakonshëm dhe në shumicën e rasteve paqësor. Megjithatë, përmenden edhe raste të tensioneve dhe përplasjeve, përfshirë përdorimin e mjeteve piroteknike dhe molotovëve në disa tubime.

“Demonstratat dhe protestat politike janë të zakonshme në Shqipëri. Protestat janë përgjithësisht paqësore, por kanë rezultuar në dhunë në të kaluarën. Demonstratat ndryshojnë në madhësi nga disa qindra në disa mijëra pjesëmarrës dhe shpesh prishin trafikun. Një nga vendet më të shpeshta të aktivitetit protestues në vend është bulevardi kryesor i kryeqytetit, Dëshmorët e Kombit, i cili është shtëpia e shumë objekteve qeveritare, diplomatike dhe kulturore. Koktejet e Molotovit janë të zakonshme gjatë demonstratave, megjithëse ato përgjithësisht hidhen në ndërtesa dhe jo në njerëz.”, thuhet në raport.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us