Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet në rrugën e së Komanit, investim për të cilin tha se do i jap shumë hov zhvillimit të kësaj zone. Dhjetëra banorë të zonës pritën kreun e qeverisë, të cilit i thanë se është një investim që e kanë pritur me vite dhe vetëm tani po bëhet realitet.
“Kjo rruga që kishit merak do bëhet, do i japë shumë sigurie dhe shumë hov turizmit. Gjithë kjo bukuri e madhe ju e dini më mirë sa e vështirë është për të kaluar. Po do bëhet si të gjitha ato që kemi bërë që janë mirë e bukur”, tha Rama.
“Diçka që e kemi pritur për shumë vite, po bëhet realitet”, tha një banor.
“E di që e keni prit, por me radhe se dhe ne s’kemi mundësi me i bo të gjitha përnjëherë”, tha kryeministri.
Nga qyteti që është drejtuar prej 30 vitesh nga demokratët, kryeministri nuk kurseu thumbat ndaj tyre duke thënë se detyrat i kanë të ndara: Ata gënjejnë, ndërsa PS bën punën. Ishin vetë banorët që u shprehen se këtë investim ia ka pas premtuar edhe PD, por i gënjeu 100 herë.
“Ne kemi pritur edhe nga ata që ishin para jush. Na rrejtën 100 herë”, vijoi një banor
“Ne i kemi ndarë këto punë, ata kanë detyrë me rrejt dhe ta hajë kush ta hajë. Ne kemi me punuar”, iu përgjigj kryeministri.
“Ne ca themi e bëjmë, problemi është se duhet durim se jo të gjitha mund të bëhen menjëherë dhe jo çdo gjë që ti mendon se do me e bo, bëhet kur do e me bo. Tani kësaj i erdhi radha dhe shpresoj ta bëjmë shkëlqyeshëm”, vijoi Rama.
Rruga e Komanit i shërben një numri të konsiderueshëm banorësh të bashkisë Vau i Dejës dhe është një aks që lidh dy hidrocentralet të Komanit dhe Vaut të Dejës me njëri-tjetrin. E ashtuquajtur rrugë teknologjike, pasi lidh dy hidrocentralet, aksi prej 31 km është ndërtuar në vitin 1980. Ndërveprimi i shpeshtë mes dy strukturave për shkak të emrgjencave energjitike dhe lëvizjet e shpeshta të punonjësve të hidrocentraleve, e kthyen rehabilitimin e këtij aksi në domosdoshmëri, investim i cili po kryhet nga Koroporata Energjitike shqiptare.





