Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me të rinjtë në Jalë, foli edhe për marrëdhënien e tij me kryeministrin Albin Kurtin dhe kreun e BDI-së, Ali Ahmetin.
“Unë qysh herët e kam pasur vijën time të kuqe, nuk bëj babën e askujt që ka shtëpinë e vet, Kosova ka institucionet e veta. Ka qenë një kohë ku i tregohej Kosovës çfarë duhet të bënte, kanë qenë vite brutale që kanë sjellë vetëm dëme. Në bashkëpunim me Maqedoninë kemi pasur një tryezë, nuk e kujtoj vitin, unë kam lehtësuar takimin mes tyre. Nuk ishte e lehtë, të uleshin në tryezë, por ishte kërkesë e tyre nuk ishte nxitja ime. Kur kanë ardhur nuk rrinin dot në një salle me njëri-tjetrin.
Unë kam një miqësi që nuk e mohoj me Ali Ahmetin, po askush nuk thotë dot me fakte që unë të kem hyrë në fushatë, larg qoftë. Kam qenë gjithmonë respektues.
Ndërkohë Kosova nuk varet nga Shqipëria, unë Albinin e takoj me kënaqësi se na ecën muhabeti, po të kishte kamera në takimet tona do të habitej e gjithë bota. Fatmirësisht qëllimet i kemi të përbashkëta, metodat i kemi të ndryshme”, tha Rama.
Rama foli edhe për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut.
Rama tha se “Shqipëria ka gjithë interesin që marrëdhëniet mes dy vendeve të jenë harmonike”, teksa shtoi se janë bërë përparime të mëdha.
“Shqiptarët duhet që të bëjnë shumë kujdes, flas këtu për rajonin, duhet të bëjnë kujdes që mos ta bëjnë si lopa që t’i bien me shqelm qumështit që është mbledhur me shumë sakrifica, ku jemi popullsi shtet-formuese. Pa popullsi shqiptare nuk ka Maqedoni të Veriut, kjo është një arsye për të kuptuar jo kapacitetin destruktiv, por nevojën për të pasur një bashkëjetesë harmonike me maqedonasit e Veriut. Nuk jemi në që duhet të kapim daullet e nacionalizmave, dhe që duhet t’i biem dam dam-eve të ‘kush jam unë e kush je ti’. Ne duhet të jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë dhënë një kontribut. Do të vazhdojë të jemi përpara që të jemi si qengji i urtë që pi dy nëna”, tha Rama.





